Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka thënë se shpallja e tenderit dhe nënshkrimi i kontratës 18 milionë euro për sheshin “Xhorxh Bush” nga Komuna e Prishtinës është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, pasi siç thotë ai një gjë e tillë bëhet pasi të jenë fondet e mjaftueshme të buxhetuara, shkruan Reporteri.net.
Sipas tij, në vitin 2024, në Deklaratën e Disponueshmërisë, Kryetari Përparim Rama ka deklaruar se duhen 18.4 milionë për këtë projekt, por që Murati thotë problemi është se po në atë vit kanë qenë të buxhetuara nga Komuna veç 1.89 milionë euro, mjete këto të bartura nga viti paraprak.
“Në Deklaratën e Disponueshmërisë të nënshkruar në vitin 2024 nga Kryetari i Komunës së Prishtinës dhe nga Zyrtari Kryesor Financiar, thuhet se mjetet e nevojshme për këtë projekt janë 18.4 milionë euro, dhe se ato janë të buxhetuara në kodin 53984 – Rregullimi i Sheshit “George Bush”. Problemi qëndron në faktin se në kodin e projektit në fjalë, në vitin 2024 kanë qenë të buxhetuara vetëm 1.89 milionë euro, nga mjetet vetanake të bartura nga viti paraprak”, ka shkruar Murati.
Ministri në detyrë thotë se Komuna e Prishtinës ka nisur procedurë prokurorimi pa i pasur duke i pasur të buxhetuara gati veç 2 milionë euro, derisa për projektin duheshin mbi 18 milionë euro.
“Pra, Komuna e Prishtinës ka nisur procedurë prokurimi me vlerë 18.4 milionë euro, duke pasur të buxhetuara vetëm 1.89 milionë euro, apo 1/10 e buxhetit të nevojshëm.
Ndërkaq pas zhvillimit të procedurës së prokurimit, kontrata është nënshkruar sivjet, që përbën shkeljen e radhës, sepse buxheti i Komunës së Prishtinës megjithëse i miratuar në asamble, për shkak të miratimit me vonesë, ende nuk është miratuar në Kuvendin e Republikës për t’u integruar si plotësim/ndryshim i Ligjit për Ndarje Buxhetore për vitin 2025”, ka shkruar Murati.
Ai thotë se në Ligjin e Buxhetit për vitin 2025, nuk është i përfshirë fare projekti i sheshi “Xhorxh Bush” dhe se ka 0 euro ndarje buxhetore, por që siç thotë ai Komuna e ka nënshkruar kontratën pavarësisht ndarjes buxhetore.
“Me fjalë tjera, ligji i buxhetit aktualisht në fuqi për vitin 2025, nuk e përmban fare projektin e Sheshit Xhorxh Bush, pra ka 0 euro ndarje buxhetore, por që Komuna e Prishtinës e ka nënshkruar kontratën pavarësisht mungesës së ndarjes buxhetore. Raste të tilla të futjes në obligime financiare pa mbulesë përbëjnë shkelje të ligjit për financa publike si dhe ligjit për prokurim publik, dhe rrezikojnë qëndrueshmërinë financiare të komunës. Dëshiroj të besoj që organet e rendit do të kenë zellin e nevojshëm ta trajtojnë këtë rast flagrant të shkeljes ligjore”, ka shkruar Murati.
/Reporteri.net/