Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Osman Hajdari ka theksuar se akti i sotëm i shpërthimit në veturën e tij ka të bëjë me punën e tij zyrtare.
Ai në një deklarim para gazetarëve gjatë pasdites, tha se, punët e mira që i ka bërë në krye të institucionit mund t’i kenë penguar grupeve të interesit, të cilat siç tha mund të kenë lidhje ndoshta edhe me zyrtarë të QKUK-së, por tha se kjo nuk do ta ndalë për të luftuar, siç tha ai, dukuritë korruptive e abzuive në këtë institucion.
Hajdari tha se nëse këto grupe i kanë zgjedhë këto metoda, kjo nuk do ta frikësojë atë për të vazhduar me punët e mira në krye të institucionit që drejton, QKUK.
“Unë si zakonisht udhëtoj me makinën time private, kam ardhur rreth orës 08: 40 jam vendosë në parkingun e QKUK-së, pastaj kam vazhduar punën time. Pas një orë e diçka drejtori i përgjithshëm më njoftoi se ka një shpërthim në parkingun e QKUK-së. Unë konsideroj se puna e përditshme për një vit e sa në krye të këtij institucioni, meqenëse në jetën time private nuk kam asnjë problem as në të kaluarën as tash as tash. Konsideroj që krejt ky akt është i lidhur më shumë me detyrën time zyrtare, me punët e mira dhe vendosmërinë për të vendosur rend e rregull në QKUK, ndoshta kjo punë u pengon grupeve të ndryshme të interesit, qoftë financiarë, qoftë grupe të tjera të cilat mund të kenë lidhje ndoshta edhe me zyrtarë të QKUK edhe me të tjerë, por jemi shumë të vendosur për të vazhduar punët e mira dhe punën e përgjegjshme që e kam bërë edhe vitin e kaluar edhe këtë vit, përkundrazi këto grupe e këto nëse i kanë zgjedhë këto metoda dhe këto mjete me na frikësuar e kanë shumë gabim, do të jemi shumë të vendosur si asnjëherë më parë, edhe më shumë nga sot e tutje për t’i luftuar gjitha dukuritë negative, qoftë korruptive qoftë abuzive, qoftë të interesit të ndryshëm në të mirën e qytetarëve të Republikës”, tha Hajdari para gazetarëve.
Lidhur me rastin, Zëdhënësja e Policisë për Rajonine e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë sot paradite për Gazetën Online Reporteri.net se ka pasur vetëm dëme materiale.
“Rreth orës 10:00, është pranuar informata lidhur me dyshimet për një shpërthim në një veturë në parkingun e QKUK-së. Aktualisht nuk raportohet për të lënduar përveç dëmeve materiale. Policia me të gjitha njësitë relevante ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po trajton rrethanat që karakterizojnë ngjarjen”, kishte deklaruar Ahmeti për Reporteri.net.
Në anën tjetër, nga ShSKUK-ja kanë reaguar duke thënë se një gjë e tillë ndodhi kur po përgatitej të mbahej mbledhja e Bordit.
“Sot, në parkingun e administratës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka ndodhur një incident që përfshin dëmtimin e veturës private të ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së, e parkuar në parkingun e administratës. Dëmtimi ka ndodhur në rrethana ende të panjohura, në kohën kur po bëheshin përgatitjet për fillimin e mbledhjes së rregullt të Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), e cila ishte paraparë të mbahej në hapësirat e administratës qendrore të ShSKUK-së. Për incidentin janë njoftuar menjëherë organet kompetente, përfshirë Policinë e Kosovës, e cila tashmë ka filluar procedurat e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti. ShSKUK shpreh shqetësim dhe keqardhje lidhur me rastin, duke ofruar bashkëpunimin e plotë me autoritetet përkatëse”, thuhej në reagim.
Shpërthen vetura e U.d të Drejtorit të QKUK’së që ndodhej në parking, SHSKUK jep detaje