×
  • Lajme
  • Lajme / Konstituimi i Kuvendit

    Memli Krasniqi i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit për takim konsultues nesër

    Reporteri
    30 Prill 2025 | 21:59

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit në detyrë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për takim konsultativ nesër në mëngjes.

    “Sot kam pranuar një letër nga Kryetari i koalicionit Vetëvendosje-Guxo-Alternativa, z. Albin Kurti, me ftesë për një takim para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës që mbahet nesër. Duke besuar thellësisht se Republika e Kosovës ka nevojë urgjente për zhbllokim institucional dhe për rikthimin e funksionimit të rregullt të institucionit më të lartë legjislativ, si dhe për t’i hapur rrugë afateve kushtetuese për themelimin e Qeverisë, do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese për takim.”, ka thënë Krasniqi, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Ai po ashtu ka thënë se gjetja e një kandidati të përshtatshëm për kryetar të Kuvendit, që gëzon mbështetjen e shumicës së deputetëve, do të ishte një hap i rëndësishëm përpara.

    “Në këtë frymë, e inkurajoj z. Kurti që të reflektojë me përgjegjësi mbi situatën aktuale dhe të shfaqë vullnet të sinqertë për të mundësuar formimin e institucioneve të reja, në mënyrë që Kosova të ketë sa më parë një Kuvend dhe një Qeveri legjitime e funksionale. Në këtë kontekst, gjetja e një kandidateje apo kandidati të përshtatshëm, që gëzon mbështetjen e shumicës së deputetëve, do të ishte një hap i rëndësishëm përpara.”, tha ai.

    Ai u shpreh se për çështjen e nënkryetarëve të Kuvendit nuk ka asgjë për të diskutuar, pasi kjo është një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta dhe e përcaktuar qartë.
    “Partia Demokratike e Kosovës, sikur gjithmonë, do të vazhdojë të sillet me përgjegjësi dhe seriozitet institucional, në përputhje me interesin shtetëror dhe qytetar. Të gjitha qëndrimet e detajuara të PDK-së do t’i bëjmë publike edhe nesër, gjatë dhe pas takimit, përmes një konference për media.”, u shpreh Krasniqi.

    Kreu i VV-së kërkoi takim me liderët e LDK-së dhe PDK-së më 1 maj, me synimin për të diskutuar formimin e institucioneve të reja, pas ngërçit institucional të krijuar si pasojë e dështimit për të konstituar Kuvendin e Kosovës. Takimi është paraparë të mbahet të enjten në orën 08:30.

    “Duke u bazuar ne Kushtetutë, tre nënkryetarë do të jenë nga tri partitë që fituan më së shumti ulëse, andaj ju ftoj për një takim të përbashkët edhe me z. Memli Krasniqi, kryetarin e PDK-së, në sallën N-204 te Kuvendit të Republikës se Kosovës, nesër (e enjte), 1 maj 2025, në orën 8:30. Me shpresë në përgjigje pozitive, ju përshëndes”, u tha mes tjerash në letrën e Kurtit në adresë të LDK-së dhe PDK-së.

    Ftesa për takim nga Kurti u refuzua nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

    “Së pari kryetari, pastaj pesë nënkryetarët”, kjo është letra që Kurti ua dërgoi Krasniqit dhe Abdixhikut për takimin nesër

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!