×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Paguhen më pak, por shqiptarët kanë orët më të gjata të punës në Evropë

    Reporteri
    01 Maj 2025 | 17:58

    Në Bashkimin Evropian, në vitin 2023, personat e aftë për punë të moshës 20-64 vjeç, punonin mesatarisht 36.1 orë në javë, sipas Eurostat.

    Ky numër u referohet orëve, që njerëzit kanë punuar realisht në punën e tyre kryesore, në javën e referencës.

    Orari mesatar i punës në javë, ndryshon ndërmjet vendeve të BE-së. Ato me javën më të gjatë të punës, ishin Greqia (39.8 orë), Rumania (39.5), Polonia (39.3) dhe Bullgaria (39.0).

    Në të kundërt, Holanda, kishte javën më të shkurtër të punës (32.2 orë), e ndjekur nga Austria (33.6) dhe Gjermania (34.0).

    Shqiptarët, punojnë me orët më të gjata në Evropë

    Të dhënat e INSTAT tregojnë se shqiptarët punojnë më gjatë se të gjithë në Evropë. Për vitin 2023, të punësuarit me pagë punonin mesatarisht 43.7 orë në javë, ose 7.6 orë më shumë se mesatarja europiane.

    Orët më të gjata janë në prodhim (46.5), bujqësi (44.8) e ndërtim (45.6) dhe më të ulëtat në administratë (40).

    Pas Shqipërisë renditet Turqia me 43.1 orë.

    Ballkani përgjithësisht punon më gjatë. Në mal të Zi punonjësit janë në punë 42.8 orë në javë, në Serbi 41.3, në Bosnjë 41.2 dhe në Maqedoninë e veriut gati 40 orë.

    Ndonëse shqiptarët rrinë më gjatë në punë, ata paguhen më pak se të gjithë, teksa si paga minimale ashtu dhe ajo mesatare janë më të ulëtat në rajon (nuk ka të dhëna për Kosovën).

    Personat e punësuar sipas orëve mesatare të punës aktuale

    Në BE, në vitin 2023, 37,1% e të punësuarve, punonin mesatarisht ndërmjet 40 dhe 44,5 orë në javë, ndërsa vetëm 7,1% regjistronin më pak se 20 orë punë aktuale në javë, në punën kryesore.

    Diapazoni 40-44.5 i orëve aktuale të punës përfaqëson pjesën më të madhe në shumicën e vendeve – me përjashtim të Irlandës, Finlandës, Belgjikës, Francës dhe Danimarkës, ku pjesa më e madhe e të punësuarve, ishte në intervalin 35-39.5 orë mesatare të punës në javë.

    I njëjti interval orësh (40 deri në 44.5), tregon gjithashtu dallimet më të mëdha midis vendeve.

    Përqindjet më të mëdha, u regjistruan në Bullgari (82,2%), Rumani (80,2%) dhe Letoni (77,7%). Përqindjet më të ulëta, u gjetën në Belgjikë (16,1%), Francë (13,3%) dhe Danimarkë (10,6%)./Monitor/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!