×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryeshefi i Trainkos raporton ish punëtorin për kërcënim me jetë

    Reporteri
    01 Maj 2025 | 22:07

    Një rast kanosjeje u paraqit në stacionin policor të Fushë Kosovës, të mërkurën pasdite.

    Ishte kryeshefi i ndërmarrjes Trainkos, Agron Statovci, i cili i tregoi policisë, se një ish-punëtor i ndërmarrjes e kërcënoi atë me jetë, përmes telefonit.

    Ish-kondukteri është njëri prej 12-ve, që u larguan nga puna në janar pas dyshimeve për manipulime me arka fiskale duke e dëmtuar ndërmarrjen me rreth 230 mijë euro.

    “Arsyeja është, nuk e di. Ata po mendojnë se unë ua kam shkëputur marrëdhënien e punës, kurse atyre u është shkëputur marrëdhënia e punës me procedurë të rregullt disiplinore”, thuhet në përgjigjen e Statovcit.

    Në bisedë u përdorën edhe të sharat.

    “Fyerja, sharje deri edhe në familje. Më ka sharë edhe vajzën. Normal që është shqetësim kur përmendet familja, kur përmendem unë. “Do të të vras” e do të ta bëjë kështu, normale që është shqetësim”, tha më tej Statovci.

    ATV foli edhe me ish-punëtorin Astrit Berisha. Sharje po, por jo edhe kërcënim me jetë, thotë ai.

    “E kam sharë, e saktë është. (A e ke kërcënuar me jetë?) – Jo, e kam dhënë deklaratën edhe në polici, ka qenë edhe avokati im atje”, tha Berisha.

    Ish-kondukteri thotë se reagoi në këtë mënyrë, pasi sipas tij, u largua arbitrarisht nga puna dhe padrejtësisht nuk iu mundësua kthimi në ndërmarrjen publike.

    “Ajo po, por edhe kur është hapur konkursi, kemi konkurruar për të dytën herë, do të thotë kemi konkurruar edhe një herë. Në fillim ka qenë se kemi pasur të drejtë të konkurrojmë, edhe përmes zyrës duke i dërguar mesazh edhe online. Ata na kanë hequr nga lista kinse nuk i kemi plotësuar kushtet. Ka njeri aty që ka punuar 40 vjet kondukter, e nuk i plotëson kushtet, ndërsa familjarët e tyre që i kanë marrë në punë, po i plotësojnë kushtet”, tha Berisha.

    Ndërkaq, kryeshefi Statovci thotë se nuk ka qenë i përfshirë në këtë proces.

    Ish-punëtori, u lirua me procedurë të rregullt me urdhër të prokurorit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!