Luan Dalipi, shefi i Kabinetit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, ka kritikuar organizatën “Reporterët pa Kufij”, që në raportin e publikuar sot e rangoi Kosovën për liri të medias në vendin e 99’të nga 180 shtete. Kjo ishte rënia më e madhe në 15 vjetët e fundit.
Dalipi ka thënë se një pjesë e konsiderueshme e individëve që janë intervistuar apo konsultuar për këtë raport janë përfaqësues të organizatave shumë të vogla, që janë mbështetur nga fondet ndërkombëtare, teksa i ka theksuar ato me fonde të USAID’it.
“Një aspekt që duhet të merret parasysh është se një pjesë e konsiderueshme e individëve të intervistuar apo të konsultuar për këtë raport janë përfaqësues të organizatave shumë të vogla, shpesh të strukturuara si iniciativa individuale (“one-man/woman-shows”) që mbështeten kryesisht nga fondet e donatorëve ndërkombëtarë — të cilat, kohët e fundit, janë reduktuar ndjeshëm (përfshirë edhe nga mbyllja e USAID).)”, ka shkruar Dalipi.
Sipas tij., Qeveria Kurti është qeveria më e hapur ndaj mediave, “e vetmja që nuk ka shpenzuar miliona për propagandë, që nuk i ka blerë apo heshtur mediat përmes kontratave njëburimore”.
Ndryshe, Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.
Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.
Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij, më 2 maj, në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Kosova renditet më së keqi në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.