×
  • Lajme
  • Lajme

    Vendosën flamurin e ISIS-it mbi shtëpi, u caktohet paraburgimi dy të dyshuarve nga Prishtina

    Reporteri
    02 Maj 2025 | 21:26

    Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes Departamentit Special, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për të pandehurit D.B. dhe E.B., të cilët dyshohen për vepra penale që lidhen me terrorizmin dhe përhapjen e urrejtjes ndërfetare.

    Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me arsyetimin se ekziston rreziku real që të pandehurit të ikin nga drejtësia, të ndikojnë në prova e dëshmitarë dhe të përsërisin veprat penale për të cilat dyshohen.

    Gjykata ka vlerësuar se pesha e veprave penale është e rëndë dhe rrezikshmëria shoqërore e dy të pandehurve është e lartë. Masat alternative ndaj paraburgimit janë konsideruar të pamjaftueshme në këtë rast.

    Sipas të dhënave të paraqitura, D.B. dhe E.B. dyshohet se në fshatin Shashkoc të Komunës së Prishtinës, në një periudhë të pacaktuar kohore deri më 1 maj 2025, kanë shpërndarë në rrjetet sociale si “TikTok” dhe “Facebook” përmbajtje që mbështesin organizatën terroriste ISIS.

    Ata dyshohet gjithashtu se kanë vendosur flamurin e kësaj organizate mbi çatinë e shtëpisë së tyre, kanë bërë grafite me përmbajtje arabe në mure dhe kanë propaganduar ideologji ekstremiste fetare, duke shprehur armiqësi të hapur ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare.

    “Ekziston dyshimi i bazuar se në fshatin Shashkoc të Komunës së Prishtinës, të dyshuarit prej kohës së pavërtetuar e në vazhdimësi deri me datën 01.05.2025, kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje e mos-durim midis grupeve fetare si dhe kanë propaganduar ideologji ekstreme fetare në atë mënyrë që të njëjtit kanë postuar në “Tik-Tok” dhe “Facebook”, material duke e përkrahur organizatën “ISIS”, ashtu që kanë vendosur flamuj të organizatës terroriste “ISIS” mbi kulmin-çatinë e shtëpisë së tyre, kanë bërë grafitë me shkronja arabe në muret e shtëpisë së tyre, po ashtu përmes rrjeteve sociale, kanë propaganduar duke shpërndarë video përmes të cilave kanë shprehur qartë përkrahjen e ideologjisë së organizatës terroriste “ISIS””.

    “Në njërën nga videot e publikuara i pandehuri D.B. ka shfaqur pamje të fytyrës së tij para një shtëpie ku valëvitet flamuri bardh e zi me simboliken e “ISIS”, me të cilat postime të njëjtit kanë shpreh armiqësi të thellë ndaj institucioneve shtetërore, Forcave të Sigurisë së Kosovës, liderëve politik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë atyre që nuk ndajnë ideologjinë e tyre ekstremiste”.

    Gjykata thekson se ekziston dyshim i bazuar për përfshirjen aktive të të pandehurve në këto veprime dhe për bashkëkryerjen e veprave penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” dhe “Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj në formacione paraushtarake ose parapolicore jashtë territorit të Republikës së Kosovës”.

    Pala e pakënaqur ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!