Kosova ka rënë për gjithsej 43 vende gjatë dy vjetëve të fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur tashmë në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.
Kjo është rënia më e madhe që Kosova ka pësuar në 15 vjetët e fundit, dhe ajo aktualisht është e renditur më keq se çdo shtet tjetër i Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), kjo rënie drastike është shqetësuese dhe alarmuese. Në reagimin e tij theksohet se kjo rënie është pasojë e “politike të vazhdueshme aktive armiqësore ndaj mediave, në dy vitet e fundit nga Qeveria e udhëhequr nga partia politike, [Lëvizja] Vetëvendosje”.
Zëdhënësi i kësaj partie, Arlind Manxhuka, ka hedhur poshtë konstatimet e Reporterëve pa Kufij, dhe ka thënë se nuk është e vërtetë që në Kosovë mungon “liria e shprehjes”.
“Liria, mendimi, liria e mendimit, shprehja, asnjëherë nuk janë ndalur e as s’mund të ndalen. Por, gënjeshtra ka kosto, nëse jo përmes normash, atëherë me humbje kredibiliteti. Dhe për këtë kanë përgjegjësi këta që sot po ‘çuditen’”, tha ai.
Reporterët pa Kufij në raportin e tyre përmendin ofendime dhe kërcënime ndaj gazetarëve, sulme fizike, përgjime, si dhe përhapjen e lajmeve të rreme në të cilat gazetarët akuzohen padrejtësisht për “bashkëpunim me armikun”.
Radio Evropa e Lirë ka përmbledhur disa prej ngjarjeve gjatë dy vjetëve të fundit që kanë ndikuar në renditjen e Kosovës në vendin e 99-të në Indeksin e Lirisë së Mediave:
Mars 2023
Blerim Vela, asokohe shef i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, shkroi në rrjetin social X se raportimet e disa mediave kosovare janë “pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut…”.
Këto raportime kishin të bënin me një vendim të Gjykatës Kushtetuese për votat e deputetëve nga komunitetet joshumicë, që mund të vinin në pikëpyetje zgjedhjen e presidentes.
Prill 2023
Sulm fizik ndaj gazetarit Valon Syla, i cili mori trajtim mjekësor për lëndime në kokë.
Qershor 2023
Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës pezulloi certifikatën e regjistrimit të kompanisë Klan Kosova, vendim që u cilësua si sulm politik ndaj mediave të pavarura.
Qershor 2023
Ekipi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) u sulmua në Leposaviq gjatë raportimit nga terreni. Në maj dhe qershor pati disa sulme ndaj gazetarëve shqiptarë që raportonin për tensionet dhe protestat e serbëve lokalë ndaj vendimeve të Qeverisë.
Ndër të tjera, u sulmua edhe vetura e ekipit të Radios Evropa e Lirë.
Gusht 2023
Në shenjë solidariteti me Klan Kosovën, gazetarët bojkotuan një konferencë të ministres Rozeta Hajdari, që drejtonte Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë – institucion që kishte pezulluar licencën e medias.
Gusht 2023
AGK dokumentoi një rast presioni publik nga një deputet i Vetëvendosjes ndaj një gazetari të RTK-së, që u përfshi në raportin e AGK-së si shembull i ndikimit politik në median publike.
Shtator 2023
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi akuzoi disa media se “financohen nga Serbia”. AGK-ja kërkoi nga Qeveria të ndalë sulmet ndaj mediave dhe të lejojë punën e tyre të pavarur.
Korrik 2024
Deputetët e Kuvendit, pa pjesëmarrjen e opozitës, miratuan Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media.
Shoqatat profesionale kundërshtuan ligjin, duke e cilësuar si kufizim të egër të lirisë së mediave. Gjykata Kushtetuese i shpalli të pavlefshme disa pjesë të tij në fund të prillit 2025.
Korrik 2024
Portali “Mitropol” nga Mitrovica e Jugut mori dy kërcënime brenda 24 orëve, përfshirë një video me mesazhin “Wagner në Kosovë”.
Korrik 2024
U publikua një tekst i portalit nga Sarajeva, Slobodna Bosna, që i përshkruante portalet kosovare Nacionale dhe Periskopi si media të nënshtruara ndaj regjimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Teksti u transmetua nga RTK-ja dhe u shpërnda nga disa zyrtarë të Qeverisë. Më pas, redaktori i RTK-së, Jeton Musliu, pranoi publikisht se kishte botuar tekstin nën presion.
Tetor 2024
Gazetari Vehbi Kajtazi mori kërcënime për jetë në rrjetet sociale dhe më pas zbuloi një pajisje për përgjim në veturën e tij.
Dhjetor 2024
Kryeministri Albin Kurti, në një takim të Vetëvendosjes, tha se “kurrë nuk kanë qenë më shumë media kaq shumë kundër qeverisë sesa në këtë katërvjeçarin tonë”, duke shtuar se kjo ndodh sepse “ne nuk i paguajmë” dhe “mediat nuk frikësohen më nga pushteti”.
Ai akuzoi disa media për justifikim të sulmeve nga Serbia.
Dhjetor 2024
Gazetari dhe themeluesi i portalit Nacionale, Berat Buzhala, mori kërcënime me vdekje.
AGK-ja tha se këto kërcënime janë rezultat i “gjuhës së urrejtjes dhe linimit ndaj gazetarëve, që vjen më së shumti nga zyrtarë qeveritarë dhe të partisë në pushtet”.
Janar 2025
Vetëvendosje njoftoi bojkot ndaj disa mediave, përfshirë Klan Kosovën, TV Dukagjinin dhe T7-shin, gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Mars 2025
AGK-ja shprehu shqetësim pasi tre redaktorë të RTK-së u ndëshkuan për mostransmetimin e një lajmi për kryeministrin Kurti.
Mars 2025
Sami Kurteshi nga Vetëvendosje i tha një gazetareje të Nacionale-s se “ju jeni media kriminale, ju jeni vrasëse”.
AGK-ja kërkoi nga Vetëvendosje të mos pengojë punën e gazetarëve dhe të ndalë presionet.
Prill 2025
Gazetarët në Prishtinë bojkotuan simbolikisht kryeministrin në detyrë Kurti, duke ulur mikrofonat në tokë, në shenjë proteste ndaj refuzimit të tij të vazhdueshëm për të dhënë deklarata për media.
Sipas të dhënave të AGK-së, gjatë vitit 2023 janë shënuar 53 raste të sulmeve ose kërcënimeve ndaj gazetarëve, ndërsa në vitin 2024 janë regjistruar 24 raste të tilla.
AGK-ja thekson se një numër i vogël i këtyre rasteve janë zgjidhur me vendime përfundimtare, por gazetarët nuk duhet të dekurajohen dhe duhet të vazhdojnë të raportojnë çdo lloj sulmi tek institucionet kompetente dhe organizatat profesionale të gazetarëve./REL