Një tren në lëvizje është sulmuar me gurë në afërsi të fshatit Grabovc në Obiliq. Si pasojë, një 26-vjeçare ka marrë lëndime në pjesën e kokës.
Rastin për Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Rreth orës 17:15, është pranuar informata se, në afërsi të fshatit Grabovc, një person ka pësuar lëndime trupore si pasojë e goditjes me një gur. Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga ku sipas të dhënave fillestare, viktima, femër, 26 vjeç, ka pësuar lëndime në pjesën e kokës, dyshohet si pasojë e një guri të hedhur në rrethana ende të panjohura nga pjesa e jashtme e trenit, në momentin kur ai ishte në lëvizje”, ka deklaruar Borovci.
Ai tha se viktimës i është ofruar tretman mjekësor, teksa kanë nisur hetimet për identifikimin e të implikuarve në rast.
“Në vendin e ngjarjes, mjeket emergjent, i kanë ofruar viktimës ndihmën mjekësore dhe më pas të njëjtën e kanë transferuar për trajtim të mëtejshëm në QKMF, në Drenas. Policia e Kosovës ka nisur hetimet për identifikimin e të implikuarve dhe fton qytetarët që posedojnë informacione të dobishme për këtë rast, të lajmërojnë Policinë përmes linjës emergjente 192, apo aplikacionit Lajmëro Policinë, ka deklaruar tutje Borovci.