×
  • Lajme
  • Lajme / Projekti 250 milionësh

    Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 pritej të kryhej më 2019, u shty për në vitin 2027

    Reporteri
    03 Maj 2025 | 22:54

    Projekti që kushton një çerek miliardi euro, fiks 250 milionë euro, ishte në plan të përfundojë në vitin 2019, por afati është shtyrë në vitin 2027, dhe nëse nuk merren parasysh rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditim, prapë mund të mos përfundojë. Bëhet fjalë për ‘REHABILITIMI I LINJËS 10 HEKURUDHORE HANI I ELEZIT – LESHAK’, i cili e ka paralizuar rrjetin hekurudhor të Kosovës, duke e lë vetëm me linjën, Prishtinë-Pejë

    Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 nga Hani i Elezit deri në Leshak në Leposaviq ka pasur të përfundojë në vitin 2019, por as në vitin 2025 nuk po i shihet fundi.

    Mungesa e komunikimit, mungesa e ekspertëve adekuat, pamjaftueshmëria në angazhim dhe vendimmarrje nga palët përgjegjëse, sipas Zyrës Kombëtare të Auditim e ka sjellë projektin në këtë pikë.

    “…Edhe pse shihet një progres i shpenzimeve gjatë viteve 2022 dhe 2023, prap edhe pesë vite pas kohës së caktuar për finalizim të projektit, realizimi i punëve është 60% për fazën I, 32% për fazën II, ndërsa për fazën III nuk ka ende as projekt të dizajnuar. Kosto shtesë dhe provizionale të shkaktuara janë 30 milion euro, prej të cilave rreth 28 milion euro janë prej ndryshimeve nga kontratat bazë dhe pjesa tjetër janë kosto tjera të ndërlidhura me projekt…”, thuhet në raportin e ZKA’së.

    Raporti 115 faqesh i ZKA-së tregon saktë se ku janë problemet e projektit që afatin për finalizim e ka zgjatur tek në vitin 2027.

    Vonesa të tejzgjatura në çdo fazë, 30 milionë euro shtesë kosto përtej planifikimit, ndryshimet e shpeshta të Bordit të Drejtorëve dhe Kryeshefave Ekzekutiv, nevoja për interpretime dhe raportime të ndryshme e deri tek shtyrja e takimit të Bordeve dhe Komiteti përgjegjës.

    ZKA thotë se faktor tjetër i zvarritjes gati 10 vjeçare të punës janë ndryshimet në kontrata dhe nevoja për huamarrje shtesë si shkak i vlerësimit jo të duhur të nevojave. 38 milionë euro huamarrje shtesë për këto probleme dhe 55 milionë euro kosto shtesë që Infrakos-in pritet të ketë për shkak të largimit të sinjalizimit dhe elektrifikimit nga plani fillestar.

    “Procedurat e kontraktimit dhe menaxhimit të kontratave ishin përcjellë me mangësi të mëdha, rrjedhimisht kishte ndryshime të mëdha në projekt“, thekson raporti.

    “…Deri tani janë nxjerrë 27 urdhër ndryshime me kosto shtesë dhe provizionale rreth 28 milionë euro apo 21% me të larta se kontratat fillestare, por që kanë marrë edhe kohë shtesë, sepse procedura e përdorur ka kërkuar që dizajnin ta hartoj kompani tjetër e punimet kompani tjetër…”, thuhet në raport.

    Pos shumë mangësive në menaxhim dhe mbikëqyrje të projektit përmendet vendimi i dëmshëm dhe jo transparent i mbylljes Fushë Kosovë-Hani i Elezit dhe Fushë Kosovë-Mitrovicë nga viti 2020 e tutje.

    Përgjegjësia për implementimin e projektit i takon Infrakos-it, gjegjësisht Njësisë për Implementimin e Projektit (tutje NjIP), por bashkë me ta në menaxhim të projektit kanë hise edhe Ministria e Mjedisit dhe ajo e Ekonomisë.

    Rehabilitimi i linjës hekurudhore financohet nga huamarrja dhe grantet, gjatë viteve 2015-2024 janë paguar mbi 90 milionë euro, 37% nga 250 milionë euro, sa është paraparë të jetë vlera e marrëveshjes së përditësuar e nënshkruar në dhjetor 2023./RTV Dukagjini

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!