×
  • Lajme
  • Lajme / Dështimet për konstituim

    Kosova me Kuvend jofunksional tash e pesë muaj, s’ka kush i trajton problemet

    Reporteri
    03 Maj 2025 | 23:19

    Për herë të fundit, Kuvendi i Kosovës u mblodh në seancë plenare dhe mori vendime në fillim të dhjetorit 2024. Derisa, ligjvënësit e kaluar ndalën punën dy muaj para zgjedhjeve, tre muaj pas, të rinjtë nuk po arrijnë të konstituojnë legjislaturën e nëntë. Ngritja e tarifave të rrymës me pasojë rritjen e çmimeve tjera, deri te shtesat e policëve dhe ushtarëve, u përmendën mes problemesh që do të duhej t’i trajtonte ky institucion, gjatë kësaj periudhe të jofunksionalitetit

    Saktësisht 150 ditë më parë datojnë vendimet e fundit që nxori Kuvendi i Kosovës, nëpërmjet seancës plenare.

    Edhe pse zgjedhjet u mbajtën më 9 shkurt, ligjvënësit nga legjislatura e tetë u mblodhën për punë vetëm deri më 5 dhjetor 2024, duke lënë pa shqyrtuar e pa miratuar rreth dhjetë marrëveshje ndërkombëtare dhe një mori ligjesh.

    Një muaj para fushatës, një muaj fushatë, e gati tre të tjerë pas zgjedhjeve, pa përfshirë mbledhjen solemne të përbashkët me Kuvendin e Shqipërisë më 20 dhjetor, betimi i deputetëve në legjislaturën e re, ende të pa konstitutuuar, është rezultati i vetëm.

    Duke e pranuar si fakt shqetësues – situatën me Kuvendin praktikisht jofunksional për pesë muaj – kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj listoi disa pasoja.

    “Është vonuar shumë edhe certifikimi i rezultatit. Humbëm të paktën një muaj, se në 30 ditë është dashur të certifikohet rezultati. Tani sikurse e shihni po humbim kohë. Këto kanë pasoja, këto lënë pasoja në jetën e brendshme. Shtrenjtimi i energjisë shkaktoi shtrenjtim të çmimeve. Për shembull nuk trajton më kush tema konkrete çka po ndodhë me vendin?! Një ditë dëgjova në lajme që ende nuk u janë paguar shtesat policëve e ushtarëve”, ka thënë Haradinaj.

    Pasi theksoi se Kosova është në ngërç politik, në raport me konstituimin e legjislaturës së re, deputeti i LDK-së Armend Zemaj tha se jofunksionaliteti i Kuvendit daton më herët se seanca e fundit e rregullt.

    “Prej fillimit, Shkurtit ose Marsit të vitit 2024, dhe tendenca për shkuarje në zgjedhje të parakohshme, ju kujtohen ato lëvizjet ato takimet, Kuvendi nuk ka qenë funksional. Ka qenë funksional vetëm kur janë mbledhur një mori ligjesh sa për t’i kaluar ose grupe të ndryshme interesave, borde, siç ishin tendencat për kapjen e bordeve dhe agjencive të pavarura. Kuvendi ka qenë jofunksional gjatë gjithë vitit 2024 dhe ju jeni dëshmitarë të saj kohe”, ka thënë Zemaj.

    Derisa deputetët e dalë nga zgjedhjet e 9 Shkurtit, deri tani, kanë dështuar 10 herë të konstituojnë legjislaturën e nëntë, edhe në të kaluarën ndërprerjet dhe vazhdimet ishin praktikë e shpeshtë.

    Bazuar në matjet e Institutit Demokratik të Kosovës, rreth 35% e seancave në legjislaturën e tetë rezultuan me vazhdime – dhe në të gjitha rastet ndërprerjet ishin si pasojë e mungesës së kuorumit./RTV Dukagjini

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!