Kompania hekurudhore “Trainkos” ka reaguar lidhur me sulmin e së shtunës ku një 26-vjeçare mbeti e lënduar në kokë, nga goditjet me gurë ndaj trenit, shkruan Reporteri.net.
Nga kjo kompani thotë se ky akt i papërgjegjshëm përbën kërcënim serioz për sigurinë e pasagjerëve dhe stafit.
“Ne u bëjmë thirrje prindërve, edukatorëve dhe komunitetit në tërësi që të edukojnë të rinjtë për pasojat e rënda që mund të shkaktojnë veprimet e tilla. Vandalizmi ndaj trenave nuk është lojë — është krim që mund të marrë jetë njerëzish”, thuhet mes tjerash në reagim.
Reagimi i plotë:
Reagim zyrtar i Trainkos lidhur me incidentin në Grabovc
APEL URGJENT PUBLIK
NDALO MENJËHERË! Hedhja e gurëve ndaj trenave RREZIKON JETË!
Trainkos shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë për incidentin e ndodhur më 3 maj 2025 në afërsi të fshatit Grabovc, ku një pasagjere 26-vjeçare u lëndua në kokë si pasojë e goditjes me gurë nga jashtë trenit në lëvizje.
Ky akt i papërgjegjshëm dhe i rrezikshëm përbën një kërcënim serioz për sigurinë e pasagjerëve dhe stafit tonë, si dhe për integritetin e shërbimeve tona hekurudhore.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, dhe viktima ka marrë ndihmën e parë mjekësore nga mjekët emergjentë, duke u transferuar më pas për trajtim të mëtejshëm në QKMF në Drenas.
Policia e Kosovës ka nisur hetimet për identifikimin e të implikuarve në këtë incident.
Trainkos dënon fuqishëm çdo akt dhune dhe vandalizmi ndaj trenave dhe pasagjerëve tanë.
Siguria e udhëtarëve dhe e stafit është prioriteti ynë kryesor, dhe ne jemi të përkushtuar të bashkëpunojmë ngushtë me autoritetet për të siguruar që autorët e këtij akti të vihen përpara drejtësisë.
U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë vigjilentë dhe të raportojnë çdo veprim të dyshimtë apo të rrezikshëm në afërsi të linjave hekurudhore.
Bashkëpunimi i komunitetit është thelbësor për të parandaluar incidente të tilla dhe për të ruajtur sigurinë e transportit publik.
Trainkos mbetet i përkushtuar për të ofruar shërbime të sigurta dhe të besueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Thirrje për ndalimin e akteve të rrezikshme dhe vandalizmit ndaj trenave
Trainkos bën thirrje publike dhe të fuqishme për ndalimin e menjëhershëm të veprimeve të tilla të rrezikshme si hedhja e gurëve apo çfarëdo objekti tjetër në drejtim të trenave në lëvizje.
Këto veprime nuk janë vetëm të papërgjegjshme dhe të paligjshme, por përbëjnë rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e pasagjerëve, stafit hekurudhor dhe gjithë pjesëmarrësve në këtë shërbim publik.
Ne u bëjmë thirrje prindërve, edukatorëve dhe komunitetit në tërësi që të edukojnë të rinjtë për pasojat e rënda që mund të shkaktojnë veprimet e tilla. Vandalizmi ndaj trenave nuk është lojë — është krim që mund të marrë jetë njerëzish.
Gjithashtu, ftojmë çdo qytetar që sheh ose ka dijeni për persona që kryejnë këso aktesh, të lajmërojnë menjëherë organet kompetente ose Trainkos-in, në mënyrë që të ndërhyhet sa më shpejt dhe të parandalohet ndonjë tragjedi e mundshme.
Siguria është përgjegjësi e të gjithëve. Le të bashkohemi për ta mbrojtur atë.