H.S, shtetas i Republikës së Kosovës është arrestuar sot nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Spiunazh”.
Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet një komunikatë nga Prokuroria Speciale, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Aksioni dhe arrestimi është zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, si dhe asistencën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas zhvillimit të hetimeve disa mujore dhe aplikimit të masave të veçanta hetimore, ka arrestuar sot një person H.S. shtetas i Republikës së Kosovës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Spiunazhi”, nga neni 124 i KPRK-së. Aksioni dhe arrestimi është zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, si dhe asistencën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Po ashtu, në bazë të urdhëresës së gjykatës kompetente, është kryer edhe bastisje në dy lokacione në Kosovë, ku janë sekuestruar prova materiale, përfshirë edhe disa telefona, që dyshohet se janë përdorur nga i dyshuari gjatë kryerjes së veprës penale.”, thuhet në njoftim.
Prokurori i shtetit nga PSRK-ja, ndaj të dyshuarit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtit do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale./Reporteri.net/