Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se sot në orën 13:15 do të dorëzojë kallëzim penal për “keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe tejkalim të autorizimeve ndaj ish-Kryeministrit Kurti dhe ish ministrave, të rizgjedhur deputetë”.
LDK-ja njoftoi se kallëzimi penal do të dorëzohet në Prokurorinë Speciale në Prishtinë.
“Të nderuar përfaqësues të medieve, sot (e enjte), në orën 13:15, Lidhja Demokratike e Kosovës dorëzon kallëzim penal për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe tejkalim të autorizimeve ndaj ish-Kryeministrit Kurti dhe ish ministrave, të rizgjedhur deputetë. Vendi: Prokuroria Speciale, Prishtinë”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
Sipas kësaj partie, Albin Kurti dhe deputetë të LVV-së po e ushtrojnë në mënyrë joligjore mandatin e kryeministrit dhe ministrave, edhe pasi janë zgjedhur deputetë.
Nënkryetarja e kësaj partie, Hykmete Bajrami ka thënë më herët se nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve më 27 mars, i bie se “qytetarë të thjeshtë kanë marrë vendime në ndërtesat e Qeverisë së Republikës së Kosovës”.
Ndryshe, Qeveria në detyrë është mbledhur dje, ku ka marrë një vendim.
Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se në këtë mbledhje është miratuar vendimi për aprovimin e kërkesës së Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e Kontingjentit të FSK-së në operacion humanitar në Shqipëri, shkruan Reporteri.net.
Mjetet financiare për dërgimin e Kontingjentit të FSK-së në operacion humanitar, sigurohen nga Buxheti i Republikës së Kosovës.
“Ministria e Mbrojtjes, mbi bazën e objektivave dhe planifikimeve strategjike për zgjerimin e kapaciteteve dhe vënies në detyrë të këtyre kapaciteteve është e përgatitur të mbështetës Shqipërinë me një Kontingjent për nevojë humanitare, përkatësisht operacionin humanitar kërkim shpëtim, në vendin e quajtur “Qafën e Burrelit”, Bashkia Klos. Kjo mbështetje është në kuadër të partneritetit strategjik me shtetet mike e në veçanti me Shqipërinë, me këtë rast për mbështetje të autoriteteve të shtetit shqiptar”, thuhet tutje në njoftim.
Një 29-vjeçar atje u zu poshtë nga një masiv rëre dhe minerali, dhe për pasojë ende nuk është gjetur./Reporteri.net