×
  • Lajme
  • Fokus

    Tension në Tiranë, PD akuzon PS për shkelje të kodit zgjedhor pranë shkollës “Petro Nini”.

    Reporteri
    11 Maj 2025 | 20:12

    Një situatë e tensionuar është regjistruar pasditen e sotme në Tiranë, vetëm pak minuta para mbylljes së procesit të votimit.

    Përfaqësues të Partisë Demokratike kanë kërkuar ndërhyrjen e policisë për të bllokuar një ambient pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”, të cilin e konsiderojnë si zyrë elektorale të padeklaruar të Partisë Socialiste.

    Përfaqësues të PD-ë, konkretisht, Belind Këlliçi, ka ngritur dyshime për manipulim të procesit zgjedhor, përfshirë mbajtjen e listave të votuesve dhe përdorimin e sendeve të dyshimta.

    Belind Këlliçi, në një deklaratë për mediat, tha: “Këtu është rasti më i paprecedentë në botë që deputeti Braçe thotë se kjo është zyra ime e punës dhe nuk njeh stafin e tij elektoral, kush ishin ata që ikin me vrap. Persona që ikin me vrap, një drejtoreshë e qendrës kombëtare të inovacionit, rreth 5-6 të rinj të tjerë që me çanta në shpinë, me kapuç kanë ikur me vrap në momentin që janë konstatuar këtu nga aktivistë të PD-së dhe nga një gazetare. Kjo është zyrë elektorale e padeklaruar, pa logo dhe e PS-së.

    Gjatë ditës kemi marrë nje denoncim që në këtë ambient po kryhet një krim zgjedhor duke blerë vota në këmbim të parave, duke shantazhuar votuesit në proces. Kemi ardhur këtu për të verifikuar në terren. Kanë konstatuar që dera ka qenë e hapur dhe brenda kanë qenë rreth 6-7 persona që punonin me laptopë, me hartë në mur dhe me lista. Menjëherë u është bërë thirrje të deklarojnë se kush janë si individë dhe çfarë po bëjnë, dhe kanë mbyllur derën.

    Në atë moment është konstatuar që janë hequr hartat nga muri, kanë paketuar material se çfarë kanë patur dhe ia kanë futur vrapit. Këto pamje janë të filmuara nga gazetaret dhe mediat dhe të transmetuara live. Nëse dikush nuk ka shkelur ligjin nuk ka pse të marrin çantën, të vërë kapuç dhe të ikë me vrap”, tha Këlliçi.

    Sipas tij, përfaqësuesit e opozitës kanë kontaktuar gjashtë herë Policinë e Shtetit pa marrë përgjigje, dhe patrulla ka mbërritur në vendngjarje pas 30 minutash. Këlliçi tha gjithashtu se në ambient ishte edhe një person “me precedent kriminal”, që shoqëronte deputetin Erion Braçe.

    Policia ka mbërritur më pas në vendngjarje për të vlerësuar situatën, ndërsa përfaqësuesit e opozitës kanë kërkuar hetim të plotë dhe kqyrje të ambientit si skenë e mundshme krimi elektoral.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!