×
  • Lajme
  • Fokus

    Belind Këlliçi i PD-së: Kam bërë kallëzim për Erion Braçen, kapëm një zyrë elektorale të padeklaruar të PS

    Reporteri
    11 Maj 2025 | 22:37

    Drejtuesi për qarkun e Tiranës i Partisë Demokratike Belind Këlliçi, ka folur nga dyert e komisariatit numër 2 në kryeqytet, ku ka njoftuar se ka bërë një kallëzim penal për krime zgjedhore.

    Këlliçi thotë se ka depozituara një kallëzim në Policinë e Shtetit, pasi ai dhe të tjerë kanë konstatuar një subjekt që shërbente si qendër elektorale për PS. Në fakt Këlliçi thotë se kjo qendër ishte e paloguar dhe e padeklaruar.

    Ai thotë se në ambientet e zyrës elektorale janë gjetur zyrtarë të lartë, përfshirë dhe deputetin Erion Braçe. Për këtë të fundit Këlliçi njofton se ka bërë kallëzim në polici dhe se vetë Braçe ka pranuar se “zyra” ishte e tij.

    “Ndodhem jashtë ambienteve të komisariatit numër 2 në Tiranë. Sapo kam bërë kallëzimin dhe deklaratën për rastin në fjalë, një krim elektoral që e kapëm në flagrancë, ku morëm një indicie të një zyre elektorale të padeklaruar të PS. Çuam zyrtarët tanë ku bënë verifikimin në vend, aty u konstatuan disa zyrtarë të shtetit.

    “Është qesharake, aty ishte dhe drejtoresha e Agjencisë të Inovacionit dhe të Ekselencës, një drejtoreshë e një kopshti në mos gaboj, një punonjës i tatimeve, një punonjës tjetër i njësisë bashkiake të cilët ishin mbledhur në një ambient të pa loguar, të PS ku ne patëm indicien për blerje vote. Menjëherë sapo kemi çuar anëtarët tanë, janë të filmuara edhe pamjet, kur i pyesim se çfarë po bënin dhe ata menjëherë kanë paketuar të gjitha sendet personale, kanë marrë çanta shpine, dokumente, kanë hequr nga muret harta elektorale me informacione, lista me emra dhe të dhëna zyrtare dhe kanë ikur me vrap. Kanë dalë pamjet filmike në media”, ka thënë Këlliqi për TVKlan.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!