Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi dhe zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, mirëpriti sot ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatik të shteteve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Sipas njoftimit të ZKM-së, temë qëndrore e takimit ka qenë procesi i anëtarësimit të Kosovës në Kshillin e Evropës, ndërsa thuhet se Kurti ua ka rikujtuar ambasadorëve se Kosova i ka plotësuar kriteret për të qenë pjesë e kësaj organizate.
“Temë qendrore e takimit ishte procesi i anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. Kryeministri rikujtoi se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe raportuesja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës tashmë kanë konfirmuar se Kosova i plotëson kriteret ligjore dhe institucionale për të qenë pjesë e kësaj organizate të rëndësishme ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Tutje Kurti ka theksuar se me vonesën e anëtarësimit të Kosovës po vazhdon t’u mohohet qytetarëve e drejta për qasje në Gjykatën Evropiane të të drejtave të Njeriut.
“Ai theksoi se avancimi i mëtejmë i vendit tonë në procesin e pranimit do të tregonte se reformat demokratike dhe linjëzimi me normat dhe vlerat evropiane njihen dhe vlerësohen madje dhe në kontekste të vështira politike në të cilat kërkohen vendime parimore dhe strategjike që përforcojnë unitetin dhe qëndrueshmërinë evropiane. Si rezultat i vonesave në anëtarësim, shtoi më tej kryeministri, po të vazhdohet t’u mohohet qytetarëve të Kosovës, përfshirë komuniteteve joshumicë dhe grupeve tjera të cenueshme, e drejta në qasje në Gjykatë Evropiane të të Drejtave të Njeriut, një mekanizëm ky mbrojtës kyç që do të mund të forconte ndjeshëm të drejtat individuale dhe llogaridhënien”, thuhet në komunikatë.
Gjatë takimit, gjithashtu u diskutua edhe për rrugën përpara në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe zhvillimet e fundit në vend.
/Reporteri.net/
Ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe ambasadorëve të vendeve të QUINT-it.
Siç raportoi gazeta online Reporteri.net temë e këtij takimi pritej të ishte edhe kriza institucionale në Kosovë e krijuar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, situata e sigurisë në veri të vendit dhe tema të tjera të aktualitetit.
Zyra e Kryeministrit ende zyrtarisht nuk ka njoftuar për takimin.
Gazeta online Reporteri.net nga vendi i ngjarjes solli pamje teksa ambasadorët e QUNIT-it po dilnin nga takimi. Ata u panë tek bisedonin me njeri-tjetrin, për disa minuta, në oborrin e Qeverisë së Kosovës, për tu larguar më pas.
Ndonëse, kanë kaluar më shumë se tre muaj nga zgjedhjet e 9 shkurtit dhe gati një muaj nga fillimi i seancës konstituive, Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar.
Të dielën dështoi edhe tentativa e 14-të për formimin e këtij institucioni./Reporteri.net/
Ambasadorët e e pesë vendeve të QUINT-it: SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Gjermani dhe Franca sot i kanë shkuar në zyrë kryeministrit të Kosovës në detyrë, Albin Kurti.
Siç merr vesh gazeta online Reporteri.net temë e këtij takimi pritet të jetë edhe kriza institucionale në Kosovë e krijuar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Po ashtu në takim pritet të diskutohet edhe për zhvillime të tjera të aktualitetit në vend dhe gjendja e sigurisë në veri të vendit.
Ndonëse, kanë kaluar më shumë se tre muaj nga zgjedhjet e 9 shkurtit dhe gati një muaj nga fillimi i seancës konstituive, Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituar.
Të dielën dështoi edhe tentativa e 14-të për formimin e këtij institucioni./Reporteri.net/.