Politikani shqiptar, Gino Mulliqi është zgjedhur nga anëtarët e këshillit për të shërbyer si zëvendëskryetar komune në qytetin e Wyliet në Texas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Mulliqi përmes një postimi publik, ku ka shprehur falënderimet për besimin që i është dhënë nga kolegët e tij.
“Jam i nderuar të ndaj me ju se jam zgjedhur nga anëtarët e tjerë të këshillit për të shërbyer si Nënkryetar i Bashkisë për Qytetin e Wylie,” ka deklaruar ai, duke shtuar se ky është një privilegj dhe përgjegjësi e madhe.
Ai gjithashtu ka shprehur mirënjohjen për ish-Nënkryetarin Jeff Forrester, për shërbimin e tij të përkushtuar dhe udhëheqjen e qëndrueshme, duke e cilësuar atë si një shembull të fortë për të gjithë.
“Jam i përkushtuar të udhëheq me integritet, transparencë dhe bashkëpunim,”, ka theksuar Mulliqi, duke shtuar se do të vazhdojë të punojë për ta mbajtur Wylie një vend mikpritës për të gjithë qytetarët.