×
  • Lajme
  • Lajme / Tregu i lirë

    Bizneset e Kosovës kërkojnë shtyrjen e liberalizimit të energjisë, paralajmërojnë protesta

    Reporteri
    14 Maj 2025 | 22:54

    Zyra e Rregullatorit për Energji ka njoftuar se nga 1 qershorit bizneset që kanë mbi 50 të punësuar ose qarkullim mbi 10 milionë euro do të dalin në tregun e lirë të energjisë elektrike. Ky vendim ka ngjall reagime e kundërshtime nga bizneset e Kosovës.

    Bizneset, në bashkëpunim me odat përkatëse kanë kërkuar anulimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji që parasheh liberalizimin e tregut të energjisë për bizneset.

    Sipas tyre, ky vendim është i papërballueshëm dhe rrezikon qëndrueshmërinë financiare të shumë ndërmarrjeve, ndërkaq nëse kërkesa për anulim nuk merret parasysh, ata kanë propozuar si zgjidhje subvencionimin e kostos shtesë për bizneset.

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, duke e konsideruar se bizneset nuk janë përgatitur për një treg të lirë të energjisë, paraqiti edhe kërkesat e tyre.

    “Kërkesa e parë kishte me qenë që sa më shpejt me ZRrE-në dhe me qeverinë në detyrë edhe ZRrE-së vetëm po i duhet një zotim, nuk është se po i duhet që sot me ia ndarë 50 milionë, por po i duhet vetëm një zotim që gjatë muajve të ardhshëm do të subvencionojë shumën prej 50 milionëve. Ky kishte me qenë hapi i parë. Po besoj që është më transparente dhe mënyra më e mirë e mundshme që do t’i kishte shpëtuar bizneset. Pajtohem që 1 vit do të ishte pak, por ne minimumi po themi 1 vit të na shtyhet që të përgatiten edhe institucionet, edhe tregu, edhe biznesi… Nëse nuk do të ketë reagim prej Qeverisë së Kosovës në detyrë dhe nga ZRrE, atëherë do të shohim edhe hapat tjerë që po propozohen, edhe format e protestës”.

    Kryetari i Dhomës së Tregtisë në Kosovës, Skënder Krasniqi ka kërkuar që vendimi ZRrE-së për liberalizimin e tregut energjetik për biznese të anulohet.

    Ai këtë vendim e quan të palogjikshëm. Krasniqi paralajmëroi protesta në rast se nuk tërhiqet ky vendim nga ZRrE.

    “Dy muaj më herët me marr një vendim të tillë është aq anormale nga një institucion, ndërkohë që nuk është përgatitur terreni në treg kemi vetëm një kompani, vetëm KEDS e cila po ofron sepse të gjitha kompanitë tjerë nuk janë duke ofruar çmim, këta po vazhdojnë me të njëjtën kompani vetëm me çmime 200-300 më shumë për qind. Mendoj që së paku për 1 vit apo 2 duhet të shtyhet që të përgatiten bizneset dhe pastaj ZRRE duhet t’i lejoj edhe bizneset me investua. Ne po e kemi problemin më të madh se ZRrE ua ka ndal bizneseve me investu në energji elektrike, duke i kufizuar edhe me sasinë të investimit në bazë të konsumit e jo në bazë të punësimit që i ka edhe duke mos ia blerë atë, por duke ia kompensua. Janë vendime të palogjikshme në dëm të bizneseve…Do të duhej të shikojmë edhe mënyra të tjera edhe një protestë për javën e ardhme si kundërshtim ndaj këtij vendimi”.

    Drejtori i Klubit të Biznesit, Ilir Ibrahimi thekson se bizneset nuk e kanë pas kohën e duhur për tu përgatitur që të përballen me tregun e lirë të energjisë.

    Ai thotë se ky është vendim i rëndë, të cilit asnjë biznes nuk mund t’i mbijetojë.

    “Padyshim është vendim i rëndë dhe e ka gjetur biznesin në një situatë të mbijetesës… Një rritje kaq e madhe e çmimit për një kohë kaq të shkurt i vendos para një sfide të cilës po thuajse asnjë biznes nuk mund ta mbijetoj… Arsyeja që kemi ardhur deri në këtë situatë është mos përgatitje për një terren të tillë se ne kemi thënë vazhdimisht se nuk jemi kundër liberalizimit të tregut, por liberalizimi i tregut duhet të bëhet me përgatitje”, theksoi ai.

    Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve Kosovarë, Kushtrim Ajvazi para përfaqësuesve të bizneseve paraqiti dy kërkesa.

    Kërkesa e parë tha se është shtyrja e hyrjes në fuqi të vendimit të ZRrE-së për liberalizim të tregut energjik për bizneset për së paku një vit, derisa kërkesa e dytë është kërkesa për subvencionim të kësaj kostoje shtesë për prodhuesit.

    “Deri më tani nga 19 operatorë të cilat janë të licencuar vetëm KESCO ka arritur me na dhënë ofertë dhe kjo është vetëm ofertë në lidhje me çmimin dhe një prej kushteve të kontratave që kërkon që ne duhet të depozitojmë së paku dy muaj të faturës vjetore që të nënshkruajmë kontratën. Qëndrimi jonë që vendimi të shtyhet së paku edhe për 1 vit sepse është periudhë jashtëzakonisht e shkurtër kohore. Po flasim që jemi edhe 15 ditë kur fillon 1 qershori asnjë prej prodhuesve sa unë kam komunikim nuk kanë nënshkruar dhe as nuk i dinë kushtet e kontratës dhe as nuk i di kushtet e tregut të lirë. Kjo është e padrejtësi sepse përveç çmimit aty ka edhe kritere të tjera në kontratë që parashohin penallti për prodhuesit….Kërkesa e dytë është subvencionimi i kësaj kostoje shtesë për prodhuesit sepse prodhuesit tanë janë zemra e ekonomisë“.

    Pronari i një kompanie, Sadik Krasniqi deklaroi se përveç si informacion për kalim të bizneseve në treg të lirë energjetik nuk kanë asnjë informacion tjetër.

    “Të vetëm informatë ka qenë emaili që e kemi marrë se duhet të kaloni në tregun e lirë, asnjë informatë tjetër nuk kemi, asnjë fletushkë. Nuk është dal cilat janë kompetencat, cilat janë obligimet e furnizuesit, cilat janë obligimet tona, cilat janë përparësitë tona. Nuk kemi asnjë informatë, asnjë garancion që rrjeti energjetik a e përballon tregun e lirë në rast se ne dalim në tregun e lirë dhe na ndalet rryma”.

    Drejtori ekzekutiv i një kompanie farmaceutike, Mergim Prishtina thekson se kompanitë prodhuese duhet të jenë kundër liberalizimit të tregut të energjisë.

    “Tek pjesa e prodhimit mendoj se duhet të jemi kundër liberalizimit të tregut të energjisë tek prodhimi…Nëse KEK-u nuk është i liberalizuar si prodhues vendor pse duhet ne me qenë të liberalizuar unë mendoj se në të ardhmen ne duhet me vendos si kusht që nëse liberalizohen prodhuesit të liberalizohen të gjithë prodhuesit edhe prodhuesit e energjisë“.

    Krahas këtyre dy bizneseve të pranishëm në këtë takim ishin edhe përfaqësues të shumë bizneseve tjera që janë të atakuara dhe njëzëri kërkuan anulim të vendimit të ZRrE-së për liberalizim të tregut energjetik për 1300 biznese.

    Ditë më parë edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit qëndrimin e saj të mëparshëm se Kosova nuk është e përgatitur për një tranzicion të tillë.

    OEA thekson se përtej mungesës së konkurrencës reale në treg, afati i shkurtër nuk u ka dhënë bizneseve as kohë të mjaftueshme për përgatitje, as hapësirë për zbatimin e masave mbështetëse gjatë kësaj periudhe kalimtare, të cilat janë thelbësore për të shmangur goditjet financiare dhe rënien e konkurrueshmërisë.

    “Shqetësimet e bizneseve janë rritur ndjeshëm pas ofertave të marra nga furnizuesit, të cilat parashikojnë rritje mbi 200% të tarifave të energjisë, një zhvillim që bie ndesh me pritjet se liberalizimi do të sillte ulje të çmimeve përmes konkurrencës. Kjo rritje e paparashikuar do të prekë zinxhirin e gjerë të bizneseve në vend, nga sektori prodhues dhe përpunues, deri te sektori i shërbimeve, tregtisë dhe teknologjisë, duke vënë në rrezik qëndrueshmërinë financiare dhe perspektivën e investimeve”, thuhet në reagim.

    Sipas Odës, argumentet se vendet e rajonit kanë zbatuar me sukses liberalizimin nuk janë valide në kontekstin e Kosovës.

    “Vendet fqinje kanë qasje në burime alternative si gazi natyror, ndërkohë që në Kosovë, për shkak të vendimmarrjeve të gabuara në të kaluarën, projektet për ndërtimin e infrastrukturës së gazit janë braktisur, duke e lënë energjinë elektrike si burimin e vetëm për nevoja afariste dhe industriale”.

    Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë në vendet e Bashkimit Evropian ka filluar në fund të viteve ‘90 me qëllim rritjen e konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët. Ndërsa, në Ballkanin Perëndimor ky proces është ende në zhvillim.

    Në Kosovë, liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2017, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.

    Tashmë, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka marrë vendim që nga data 1 qershor të gjitha kompanitë e mëdha – konkretisht ato me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro – të kalojnë në tregun e hapur të energjisë. Sipas ZRRE-së, numri i tyre është mbi 1.000.

    Aktualisht, këto biznese furnizohen nga Operatori për Furnizim me Energji (KESCO), si furnizuesi kryesor i licencuar për energji me çmime të rregulluara nga ZRRE-ja.

    Ndërsa nga 1 qershori, kompanitë e mëdha duhet të zgjedhin vetë furnizuesin e tyre, me çmime të parregulluara, të cilat përcaktohen nga kërkesa dhe oferta në treg.

    Në tregun e lirë të Kosovës janë të licencuara 18 kompani që ofrojnë furnizim me energji elektrike, shumica prej të cilave janë nga Kosova, por ka edhe kompani nga rajoni./Monitor/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!