Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, tha të premten se Qeveria e ka një shumicë të qëndrueshme, por shtoi se po zhvillohen bisedime me deputetë nga koalicioni opozitar, Fronti Evropian, për t’u bërë pjesë e Qeverisë.

Duke folur gjatë konferencës “Përmirësimi i infrastrukturës së gjelbër në Ballkanin Perëndimor”, Mexhiti tha se, pavarësisht largimit të Arben Taravarit, blloku shqiptar vazhdon të ketë legjitimitet dhe “numër të njëjtë të deputetëve, 13-14”.

Taravari – udhëheqës i Aleancës për Shqiptarët – dha dorëheqje nga posti i ministrit të Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut të enjten.

Reklamë

Fronti Evropian – i udhëhequr nga partia shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) – i ka 18 deputetë në Kuvendin maqedonas.

I pyetur nga gazetarët nëse këta deputetë do të veprojnë si pjesë e grupit parlamentar VLEN, Mexhiti u përgjigj se disa janë pjesë e shumicës dhe të Frontit Evropian dhe, sipas tij, “do të jenë mbështetje për Qeverinë”.

Pas dorëheqjes së Taravarit – të cilit pushteti i kishte dërguar mesazhin se “nuk mund të jetë edhe pjesë e Qeverisë edhe të bashkëpunojë me BDI-në” – u hap çështja e një riformatimi të kabinetit qeveritar, por kryeministri Hristijan Mickoski e mbylli këtë diskutim duke paralajmëruar vetëm zëvendësim ministrash.

Mexhiti tha në mëngjes se janë “në negociata për disa opsione politike për postin e ministrit të Shëndetësisë pas largimit të Taravarit, dhe në bazë të tyre do të propozohet një emër i ri për ministër”.

Ai shtoi se këto bisedime nuk zhvillohen vetëm brenda VLEN-it apo me kryeministrin Mickoski, por edhe me “individë, grupe dhe subjekte politike jashtë VLEN-it – brenda Frontit Evropian, të cilët janë në opozitë dhe ndoshta do të kalojnë në anën tjetër”.

Reklamë

Ai nuk sqaroi nëse kjo nënkupton se po negociohet edhe me Ziadin Selën, lider i një krahu të Aleancës për Shqiptarët, pjesë e Frontit Evropian.

Zëvendëskryeministri nuk ishte i qartë as për fatin e Arben Fetait, zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë dhe anëtar i partisë së Taravarit, duke qenë se ai ende nuk ka paralajmëruar dorëheqje.

“Po e bën mirë punën, po kontribuon me sukses në ndryshimet dhe shpresoj që të vazhdojë”, shtoi ai./REL