×
  • Lajme
  • Lajme / Ndëshkime

    29 zyrtarë publikë s’e kanë deklaruar pasurinë, APK përgatit gjoba e kallëzime penale ndaj tyre

    Reporteri
    16 Maj 2025 | 16:18

    29 zyrtarë publikë nuk e kanë bërë deklamin vjetor të pasurisë pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit. Përveç gjobës, ata do të përballen edhe me kallëzime penale, që APK është duke i përgatitur dhe do t’i dorëzojë nëpër prokurori, shkruan Reporteri.net.

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka nisur përgatitjen e kallëzimeve penale ndaj zyrtarëve publikë që nuk e kanë deklaruar pasurinë.

    Në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net, nga APK kanë deklaruar se nga verifikimet e deritashme, janë 29 zyrtarë që s’e kanë deklaruar pasurinë.

    Afati ligjor për deklarim është nga data 1 deri më 31 mars të secilit vit. Në total janë 141 zyrtarë që s’i janë përmbajtur këtij afati.

    Këto raste po shqyrtohen nga APK, e varësisht nga të gjeturat do të pasojnë qortimet, gjobat dhe kallëzimet penale.

    “Nga numri i përgjithshëm (141), për 110 zyrtarë janë kryer verifikimet, kurse për 31 subjekte deklaruese ende po vazhdon verifikimi dhe varësisht të gjeturave edhe do të merren vendime nga APK. Ndërsa për ata që ka mbaruar verifikimi (110) janë 102 zyrtarë ndaj të cilëve është duke u përgatitur shqiptimi i gjobës, kurse sipas ligjit dhe bazuar në të gjeturat ndaj 8 zyrtarëve po përgatiten qortime jo-publike. Por, nga të gjeturat e verifikimeve të deritashme janë 29 zyrtarë që rezultojnë se nuk kanë përmbushur detyrimin as brenda afatit shtesë prej 15 ditësh, dhe ndaj tyre përveç shqiptimit të gjobës, Agjencia është duke përgatitur kallëzime penale të cilat do t’i dorëzojë në prokuroritë përkatëse”, thuhet në përgjigjen e APK për Reporteri.net.

    Agjencia ka paralajmëruar se emrat e zyrtarëve që nuk e kanë deklaruar pasurinë me kohë, do të publikohen shpejt.

    “Siç edhe e theksuam në fillim, verifikimet po vazhdojnë dhe lista me emrat e zyrtarëve publikë që nuk kanë kryer deklarimin vjetor të pasurisë për vitin 2024 brenda afatit të përcaktuar ligjor, (pra nga data 1 deri më 31 mars, përkatësisht 1 prill 2025), do të publikohet së shpejti. Të gjitha këto veprime ndërmerren në pajtim Ligjin Nr. 08/L-108 dhe Ligjin 08/L-017, që përcaktojnë qartë masat ndëshkimore ndaj subjekteve deklaruese në rast të mosrespektimit sipas afateve ligjore”, thuhet tutje në përgjigje.

    Sipas Ligjit, nëse një zyrtar publik nuk bën deklarimin e pasurisë brenda afatit ligjor, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit shqipton gjobë ndaj tij në shumën prej 30% të pagës. Më pas, zyrtari publik ka afat shtesë prej 15 ditëve pas shqiptimit të gjobës ndaj tij, që të bëjë deklarimin e pasurisë.

    Nëse as pas afatit shtesë prej 15 ditëve nuk bën deklarimin, APK dorëzon kallëzim penal ndaj tij.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!