×
  • Lajme
  • Lajme

    Mentor Shala: Vota në Eurovision është politike, vetë kam lobuar për Shqipërinë sa isha drejtor i RTK-së

    Reporteri
    17 Maj 2025 | 23:56

    Ish-drejtori i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), Mentor Shala, ka reaguar lidhur me procesin e votimit në Festivalin Evropian të Këngës – Eurovision.

    Në një postim të bërë në Facebook, Shala ka deklaruar se “gjithçka është politikë” në Eurovision, duke theksuar se shumica e anëtarëve të Unionit të Transmetuesve Evropian (EBU) vijnë nga Evropa Lindore dhe Juglindore, përfshirë edhe vende si Rusia, Gjeorgjia dhe Bjellorusia. Sipas tij, këto vende përbëjnë shumicën e votave të jurisë dhe ndikojnë drejtpërdrejt në renditjen përfundimtare të garës.

    “Shqipnia e ka problem edhe me pas kangën ma t’mirën n’botë me fitu,” shkruan Shala, duke sugjeruar se pa lobim të mirëfilltë në radhët e EBU-së, sukseset janë të vështira.

    Ai ka shtuar se votat e jurisë nuk janë të pavarura, por varen nga lobimi që Drejtorët e Përgjithshëm të transmetuesve publikë bëjnë te kolegët e tyre.

    “Vota e jurisë është politike. Vetë kam qenë pjesë e lobimeve për votën e jurisë për homologët e mi të RTSH sa kam qenë në krye të RTK-së,” tha ai.

    Ndërsa për votën e publikut, Shala tha se nuk mund të flasë me siguri për shkak të mungesës së informacionit mbi mekanizmin e mbikëqyrjes së saj.

    Në fund të postimit, ai ka dhënë edhe një këshillë për publikun që ndjek Eurovisionin:

    “Ngone muzikën e kënaqnu e mos u bani nervoz kush fiton.”

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!