×
  • Lajme
  • Lajme / Hetime

    Situata me bërllokun në kryeqytet, aktivizohet Prokuroria

    Reporteri
    19 Maj 2025 | 16:12

    Prokuroria e Kosovës ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave dhe provave në lidhje me mungesën e trajtimit të mbeturinave dhe situatën e krijuar në Komunën e Prishtinës si rezultat i mos grumbullimit të tyre, shkruan Reporteri.net. 

    Në njoftim thuhet se Prokurori ka kërkuar nga njësia për hetimin e krimeve mjedisore në Prishtinë, që të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme në drejtim të veprës penale ‘’Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit’.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik, se ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave dhe provave në lidhje me mungesën e trajtimit të mbeturinave dhe situatën e krijuar në Komunën e Prishtinës si rezultat i mos grumbullimit të tyre. Prokurori i Shtetit, në cilësinë e Koordinatorit kundër krimeve mjedisore në Prishtinë, ka kërkuar nga njësia për hetimin e krimeve mjedisore në Prishtinë, që të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme në drejtim të veprës penale ‘’Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit’’, bazuar nga neni 338 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
    Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe trajtimin me prioritet të çështjeve që ndërlidhen me mbrojtjen e mjedisit dhe interesin publik”, thuhet në njoftim.

    Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) ka reaguar ndaj situatës alarmante të mbeturinave urbane në Prishtinë, duke theksuar rrezikun e ndotjes së tokës, ujit dhe ajrit për shëndetin e qytetarëve.

    Sipas Institutit, kontejnerët e mbushur tej mase dhe hedhja e pakontrolluar e mbeturinave kanë krijuar një mjedis të favorshëm për zhvillimin e baktereve dhe parazitëve, duke rritur rrezikun për sëmundje të tilla si dizenteria, hepatiti A dhe kolera.

    Një protestë është zhvilluar sot nga punëtorët e kompanisë “Pastrimi”.

    “Paguaje borxhin o borxhli i keq”, “Mos bëj politikë me dështimin tënd”, “Na lë të punojmë” kanë qenë disa nga pankartat që punëtorët kanë mbajtur në duar.

    Kjo ndërmarrje ka ndërprerë shërbimet, siç ka thënë,  shkaku i borxhit 2.7 milionësh të komunës.

    Drejtori i Shërbimeve Publike në Kryeqytet, Bekim Brestovci, pas takimit me përfaqësuesit e Sindikatës së Ndërmarrjes “Pastrimi”, ka njoftuar se Komuna e Prishtinës është e gatshme që nga dita e sotme për nënshkrimin e një kontrate në vlerë prej 1.5 milionë euro për punë shtesë.

    Ai theksoi se nëse krijohen kushtet, “Pastrimi” do të marrë përsipër 1/3 e regjionit të Prishtinës, duke e shtuar kapacitetin operativ krahas dy operatorëve ekzistues. Brestovci shtoi se Komuna është e gatshme të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar subvencionimin e pagave për punëtorët./Reporteri.net

    “Borxhli i keq”: Punëtorët e ‘Pastrimit’ protestojnë para komunës së Prishtinës

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!