×
  • Lajme
  • Lajme / Njoftimi

    Situata kaotike me bërllok në Prishtinë, Përparim Rama mbledh në takim kryetarët e komunave fqinje

    Reporteri
    20 Maj 2025 | 15:01

    Pas përkeqësimit të gjendjes në ndërmarrjen publike “Pastrimi”, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka zhvilluar një takim me kryetarët e komunave fqinje për të koordinuar veprimet e përbashkëta në kuadër të bashkëpunimit ndërkomunal.

    Në një postim në rrjetet sociale, kryetari Rama theksoi se menaxhimi i dobët dhe mungesa e përgjegjësisë nga menaxhmenti i ndërmarrjes kanë sjellë një situatë të rënduar, e cila rrezikon mirëqenien e punëtorëve dhe shërbimet bazë për qytetarët. Ai tha se “nuk do të lejojmë që qyteti të mbetet pa shërbime jetike siç është mbledhja e mbeturinave. Do të marrim të gjitha masat e nevojshme për ta rikthyer normalitetin.”

    “Në takim, komunat aksionare ranë dakord që të mbështesin njëra-tjetrën sipas nevojës së krijuar dhe të angazhojnë operatorë privatë për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve në territoret përkatëse. Kjo bëhet me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik dhe ruajtjes së pastërtisë në qytete”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu, komunat kanë shprehur vullnetin për të nisur menjëherë procedurat për decentralizimin e ndërmarrjes “Pastrimi”, në përputhje me legjislacionin në fuqi, për të mundësuar menaxhim më efikas dhe më të afërt me nevojat e qytetarëve.

    Kryetari Rama përfundoi mesazhin e tij me zotimin se do të punojë ngushtë me të gjithë akterët për të mbrojtur vendet e punës, për të siguruar pagesat e punëtorëve dhe për të rikthyer shërbimet esenciale për qytetarët e kryeqytetit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!