Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Kaja Kallas, sot pritet të arrijë në Prishtinë në një turne në Ballkanin Perëndimor që e ka nisur dje.
Shefja e diplomacisë së BE-së ka shkruar për këtë vizitë në Ballkan, duke thënë ndër të tjera se dialogu Kosovë-Serbi është domosdoshmëri për të ecur përpara në rrugën drejt BE-së, transmeton gazeta online Reporteri.net.
Shefja e diplomacisë së BE-së para vizitës në Ballkan, ka shkruar edhe në platformën X.
“Do të vizitoj Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut në dy ditët e ardhshme dhe do të angazhohem me qeveritë dhe shoqërinë civile në rrugën e tyre drejt BE-së. Dialogu Beograd-Prishtinë është një domosdoshmëri për të ecur përpara. Tani është koha për t’u riangazhuar”, tha ajo mbrëmë.
Back in the Western Balkans.
I will be visiting Serbia, Kosovo and North Macedonia in the next two days and engage with governments and the civil society on their EU path.
The Belgrade-Pristina Dialogue is a must in moving forward. Now is the time to re-engage. pic.twitter.com/u6dphKMOEp
— Kaja Kallas (@kajakallas) May 21, 2025
Në Kosovë, kryediplomatja Kallas do të takohet me përfaqësues partish politike dhe me organizata të shoqërisë civile.
Në kuadër të qëndrimit të saj në Prishtinë, ajo do ta vizitojë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), ashtu sikurse që është paraparë edhe një takim me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani.
“Në Kosovë, Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile. Ajo do të mbajë një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Evropës më 22 maj në orën 15:45, transmetuar drejtpërdrejt në EBS. Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të vizitojë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Ajo do të takohet edhe me komandantin e KFOR-it Enriko Barduani” , ka njoftuar BE-ja.
Pas vizitave të bëra mes 7 dhe 9 prillit në Podgoricë, Tiranë dhe Sarajevë, ky është udhëtimi i dytë i saj në Ballkanin Perëndimor. /Reporteri.net/