×
  • Lajme
  • Lajme / Akuza menaxhmentit

    Komuna e Prishtinës thotë se punëtorët e “Pastrimit” po keqpërdorën politikisht, e quan të panevojshme grevën

    Reporteri
    22 Maj 2025 | 10:54

    Komuna e Prishtinës e ka fajësuar menaxhmentin pas grevës së organizuar sot nga punëtorët e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, të cilët u mblodhën para objektit të Komunës për të shprehur pakënaqësitë e tyre.

    Në një njoftim në Facebook, Komuna vlerëson se kjo protestë është e panevojshme, duke akuzuar menaxhmentin e kompanisë për “keqpërdorim të punëtorëve për qëllime politike”.

    “Ka kohë që kryeqyteti është angazhuar për zgjidhjen e situatës së krijuar me mbeturinat. Prandaj, përderisa jemi duke bërë gjithçka për tejkalimin e kësaj gjendjeje, grumbullimi i punëtorëve të KRM ‘Pastrimi’ para objektit të Komunës është i panevojshëm. Keqpërdorimi i tyre për qëllime politike nga menaxhmenti është i papranueshëm dhe nuk duhet të vazhdojë”, thuhet në reagim.

    Komuna ka thënë se ka propozuar një kontratë me vlerë 1.5 milionë euro me “Pastrimin” për mirëmbajtjen dhe pastrimin e hapësirave publike në qytet dhe pret që ajo të nënshkruhet nga ndërmarrja.

    “Presim të nënshkruhet edhe nga kompania ‘Pastrimi’, me qëllim që punëtorët të rikthehen në vendet e tyre të punës dhe angazhimit në kryeqytet”, vijon reagimi. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!