Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka dale me një komunikatë, përmes së cilës ka thënë se tregu i liberalizuar është gati të fillojë me 1 qershor, shkruan Reporteri.net.
Komunikata është lëshuar pas takimit që Bordi i ZRRE’së ka pasur me të gjithë furnizuesit e licencuar për energji elektrike në vend. Në takim ka marrë pjesë edhe Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Kryesues i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ka thënë se roli i rregullatorit do të mbetet kyç në monitorimin dhe garantimin e një tregu të drejtë dhe konkurrues.
“Takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive dhe bashkëpunuese, ku furnizuesit e licencuar shprehën gatishmërinë për të ofruar ofertat e tyre për konsumatorët që shprehin interes për furnizim në tregun e lirë. Po ashtu, ata u zotuan për një bashkëpunim të vazhdueshëm me ZRRE-në dhe për ofrimin e informacioneve të nevojshme për konsumatorët që kërkojnë sqarime lidhur me kalimin në tregun e liberalizuar”, thuhet në njoftim.
Në fund të komunikatës thuhet se në takim u konstatua se janë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për fillimin e funksionimit të tregut të liberalizuar të energjisë elektrike, i cili do të nisë zyrtarisht më 1 qershor 2025.
Oda Ekonomike e Kosovësi, para gati dy javësh, i është drejtuar me kërkesë publike Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për pezullimin e vendimit për daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike nga 1 qershori.
OEK thotë se kjo kërkesë bazohet në shqetësimet e shumta të anëtarëve të Odës Ekonomike të Kosovës dhe në analizat që tregojnë se një hap i tillë në këtë periudhë do të kishte pasoja serioze për sektorin privat dhe ekonominë në përgjithësi.
“Sektori privat punëson mbi 330 mijë punëtorë, dhe dalja në treg në këto kushte mund t’i sjellë shumë biznese pranë falimentimit për shkak të pamundësisë financiare për të përballuar çmimet aktuale të tregut të hapur.
Për pasojë edhe produkti vendor do të goditet rëndë. Prodhimi vendor do ta humbasë konkurrueshmërinë me produktet e importuara, duke rrezikuar edhe më shumë praninë tonë në tregjet e rajonit dhe ato evropiane, për shkak të rënies së kërkesës për produktet vendore si rezultat i rritjes së kostos së prodhimit që vjen nga shtrenjtimi i energjisë elektrike”, thuhet ndër të tjera në kërkesë./Reporteri.net