Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë se BE ka nisur që t’i heq gradualisht masat ndëshkuese ndaj Kosovës, shkruan Reporteri.net.
Ky vendim hap rrugën për mundësi më të mëdha për zhvillimin e Kosovës dhe për lidhje më të ngushta me Europën
“Si shenjë e përkushtimit tonë, mund të njoftoj se BE-ja ka filluar gradualisht të heqë masat e vendosura në qershor të vitit 2023”, ka deklaruar Kallas.
Në konferencën për media, ajo ka thënë se Kosova i takon familjes evropiane, duke shtuar nuk ka rrugë të shkurtër për anëtarësim në bllok.
“Kosova i përket familjes evropiane. Por s’ka rrugë të shkurtër për anëtarësim. Progresi mund të arrihet vetëm përmes reformave të qëndrueshme”, është shprehur ajo.
Kallas ka bërë thirrje për formim sa më të shpejt të institucioneve, në mënyrë që vendi të përfitojë sa më shpejt fondet nga Plani i Rritjes.
Ajo do të presë pas pak në takime të ndara liderët e partive, si dhe përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile.
Me kreun e PDK’së, Memli Krasniqin, siç merr vesh Gazeta Online Reporteri.net, takimi do të zhvillohet në orën 17:15, në Zyrën e BE’së në Kosovë.
Sipas burimeve, me kreun e LDK’së, Lumir Abdixhikun, takimi do të mbahet në orën 18:00.
Ndërkohë, me kryetarin e AAK’së, Ramush Haradinajn, do të takohet në orën 18:45. Kështu Ka konfirmuar për Reporteri.net, nënkryetari i AAK’së, Pal Lekaj.
Takim me kreun e VV’së, Albin Kurtin nuk dihet ende në çfarë ore do të mbahet.
Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, ka deklaruar se Kurti do ta pres Kallas në një darkë pune, pa specifikuar orën.
“Kryeministri në detyrë Kurti sonte në mbrëmje e pret për një darkë pune Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas me rastin e vizitës së saj në vendin tonë. Ky takim do të jetë një mundësi e mirë për të diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Republikës sonë dhe Bashkimit Evropian si dhe temat me interes të përbashkët”, ka thënë Kryeziu për Koha.net.
Para takimeve, Kallas do të mbajë një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Evropës, në orën 15:45.
Para arritjes në Kosovë, Kryediplomatja e BE’së ka deklaruar se dialogu Kosovë-Serbi është domosdoshmëri për të ecur përpara në rrugën drejt BE-së.
Kjo është vizita e dytë e saj në Ballkanin Perëndimor. Dje dhe sot paradite, ajo ka qëndruar për vizitë në Serbi, teksa nesër do ta vizitojë Maqedoninë e Veriut.
Në kuadër të qëndrimit të saj në Prishtinë, ajo do ta vizitojë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), ashtu sikurse që është paraparë edhe një takim me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani./Reporteri.net