×
  • Lajme
  • Lajme / Incidenti në veri

    Maturantët serb bënë thirrje shoviniste dhe ngritën tre gishtat – reagon Sveçla

    Reporteri
    23 Maj 2025 | 20:42

    Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka thënë se gjatë manifestimit të sotëm të maturantëve serbë në Mitrovicën e Veriut, disa pjesëmarrës kanë filluar provokimet ndaj qytetarëve të pranishëm në shesh me simbole nacionaliste e thirrje shoviniste.

    Sipas Sveçlës, edhe pse manifestimi ishte i paralajmëruar dhe i ligjshëm, disa pjesëmarrës kanë përdorur simbole nacionaliste dhe thirrje shoviniste si “Kosova është zemra e Serbisë” dhe gjestin me tre gishta, një simbol që, siç tha ai, përfaqëson pretendime territoriale të Serbisë dhe përkujton spastrimin etnik dhe gjenocidin e kryer në Kosovë.

    “Policia e Kosovës në mënyrë profesionale ka ndërmarrë veprimet e nevojshme me qëllim të evitimit të përshkallëzimit të mëtutjeshëm.” u shpreh Sveçla.

    Ai theksoi se Republika e Kosovës garanton të drejtat demokratike të qytetarëve për të manifestuar, por nuk do të lejojë që këto të drejta të keqpërdoren për qëllime destabilizuese.

    Sveçla u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e provokimeve dhe të mos lejojnë të instrumentalizohen nga Beogradi zyrtar apo, siç e quajti ai, “kryekrimineli Radoiçiq” dhe regjimi autokratik e prorus i Vuçiqit.

    Postimi i plotë: 
    Të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës gëzojnë të drejtën e organizimit dhe manifestimit në hapësira publike dhe veçanërisht kur ato njoftohen në organet e rendit. I tillë ishte edhe manifestimi i sotëm i maturantëve në Mitrovicën e veriut.

    Pas njoftimit, Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha hapat që sigurojnë mbarëvajtje të plotë të këtij manifestimi. Gjatë manifestimit, disa pjesëmarrës kanë filluar provokimet ndaj qytetarëve të pranishëm në shesh me simbole nacionaliste dhe thirrje shoviniste “Kosova është zemra e Serbisë” dhe me simbolin e tre gishtave që jo vetëm përkujtojnë spastrimin etnik dhe gjenocidin që Serbia ka kryer në Kosovë, por manifestojnë edhe pretendimet që ky shtet ka ndaj Republikës sonë.

    Policia e Kosovës në mënyrë profesionale ka ndërmarrë veprimet e nevojshme me qëllim të evitimit të përshkallëzimit të mëtutjeshëm.

    Republika jonë demokratike garanton të gjitha të drejtat sikurse nuk mund të lejojë që këto vlera demokratike të cënohen përmes akteve të ngjashme që burimin e kanë te regjimi autokrat e prorus i Vuçiqit.

    Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim të mos bien në provokime të ngjashme si dhe apeloj të mos instrumentalizohen nga Beogradi zyrtar dhe kryekrimineli Radoiçiq që duan eskalim dhe destabilizim të situatës në Kosovë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!