Ish-shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se efektet e bllokadës së institucioneve janë “kolosale, afatgjata dhe të pakthyeshme”.
Ai thotë se nga kjo bllokadë janë bllokuar reformat ligjore, pozitat kanë mbetur me ushtrues detyre, Kosova është izoluar ndërkombëtarisht, si dhe është bllokuar zhvillimi.
“Përtej moçalit ku kanë ngecur narracionet dhe diskurset e një qeverie pa legjimitet, efektet e vetë-bllokadës së saj janë kolosale, afatgjata dhe të pakthyeshme”, ka shkruar ai.
Postimi i tij i plotë:
Strategjia e vetëbllokimit: Qeveria mbijeton, Kosova humb
Përtej moçalit ku kanë ngecur narracionet dhe diskurset e një qeverie pa legjimitet, efektet e vetë-bllokadës së saj janë kolosale, afatgjata dhe të pakthyeshme.
Le t’i shpalosim shkurtimisht:
1. Bllokimi i reformës ligjore: Vendi ka nevojë për përmirësimin e ligjeve ekzistuese dhe miratimin e ligjeve të reja. Kjo qeveri ka pranuar faktikisht se mund të qeverisë edhe pa to – një vetëdorëzim institucional.
2. Pozitat “me ushtues detyre” si mjet manipulimi: Institucionet publike, ndërmarrjet shtetërore dhe përfaqësimi ndërkombëtar kërkojnë zyrtarë me mandat të ri ose të vazhduar. Qeverisë po i konvenon statusi i përkohshëm – sa më shumë pozita “me ushtrues detyre”, aq më shumë hapësirë për ndikim dhe manipulim. Humbësit janë sektori publik dhe qytetari.
3. Izolimi ndërkombëtar: Në një botë me konkurrencë të fortë, thellimi i marrëdhënieve bilaterale dhe multilaterale kërkon institucione e qeveri me legjitimitet. Kjo qeveri vepron sikur legjitimiteti është perceptim, jo parakusht. Kosova e paguan këtë qasje me izolim.
4. Bllokim i zhvillimit: Qeveria në detyrë nuk ka mandat të nënshkruajë kontrata madhore, as të nisë privatizime apo të krijojë obligime afatgjata buxhetore. Çdo projekt madhor është pezulluar. Shteti është në ngërç funksional e më shumë hapësirë për keqpërdorim.5. Menaxhim rutinor, pa vizion: Vendimmarrja është reduktuar në menaxhim teknik të përditshëm. Asnjë vizion zhvillimor, asnjë agjendë strategjike. Vendi është lënë në autopilot.
6. Stagnim në integrimet euroatlantike: Qasja konfrontuese, mungesa e koordinimit dhe paaftësia për ndërtimin e aleancave efektive kanë stagnuar rrugën drejt BE-së dhe NATO-s.
7. Paqartësi strategjike me partnerët: Komunikimi me SHBA-në është i fragmentuar, kontradiktor dhe i paqartë. Kjo paqartësi dëmton interesat shtetërore.
8. Humbje e potencialit ekonomik: Klima e pasigurisë dhe konfliktet institucionale kanë larguar çdo investim serioz të huaj.
9. Mungesë narrative kombëtare: Në vend të unitetit përballë kërcënimeve nga Serbia dhe aktorët që e mbështesin, kemi përçarje, akuza dhe mohime të përgjegjësisë.
10. Neglizhencë ndaj Shqipërisë: Bashkëpunimi me Shqipërinë është strategjik për diplomacinë, ekonominë dhe identitetin shtetëror. Mungesa e thellimit të këtij bashkëpunimi është një humbje që e ndjejmë çdo ditë.
Përndryshe, përveç kostos politike dhe institucionale, qasja bllokuese e kësaj qeverie ka rezultuar edhe me bllokim të madh financiar për Kosovën – fonde që janë të arritshme, por jo të disponueshme për sa kohë nuk ka angazhim të duhur institucional.
• 61 milionë euro nga Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor (Growth Plan) janë aktualisht të bllokuara, për shkak të mosplotësimit të kritereve dhe mungesës së koordinimit ndërinstitucional.
• 150 milionë euro nga fondet IPA të Bashkimit Evropian janë në pritje, për shkak të ngecjeve në reforma, mungesës së dialogut konstruktiv dhe qasjes konfrontuese ndaj partnerëve ndërkombëtarë.Në total: mbi 210 milionë euro në pritje të institucioneve që funksionojnë. Këto janë fonde që do të mund të ndryshonin realisht infrastrukturën, arsimin dhe ekonominë, por janë të bllokuara, si pasojë e statusit të përkohshëm dhe mungesës së legjitimitetit politik.
Si konkluzion, viti 2025 dhe fillimviti 2026 janë të humbur. Nga korriku deri në dhjetor, vendi do të jetë i përfshirë në zgjedhje lokale. Ndërsa, nga janari deri në mars, na presin zgjedhjet për Presidentin e Republikës. Kjo nënkupton se një vit i tërë humbet në cikle zgjedhore, ndërsa çështjet madhore të shtetit mbesin pezull.