×
  • Lajme
  • Lajme / Ushtrimi më i madh ndërkombëtar

    Kosova nikoqire, 29 shtete pjesëmarrëse e 25 mijë ushtarë të angazhuar në “Defender Europe 2025”

    Reporteri
    24 Maj 2025 | 16:26

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka njoftuar për fillimin e ushtrimit ndërkombëtar të drejtuar nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Europë dhe Afrikë “Defender Europe 2025”.

    Maqedonci ka thënë se Kosova për herë të tretë që nga viti 2021 do të jetë nikoqire e këtij ushtrimi ndërkombëtar dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të jetë pjesëmarrëse.

    “Këtë të dielë fillon “Defender Europe 2025”, 29 shtete pjesëmarrëse, 25 mijë ushtarë të angazhuar. Kosova është shtet pritës i Shtabit të Divizionit të 28-të të Ushtrisë Amerikane, Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë”, thuhet në njoftimin e Maqedoncit.

    Gjatë ditës së djeshme edhe Ministria e Mbrojtjes doli me një njoftim për këtë organizim.

    “Gjatë kësaj periudhe kohore, do ketë lëvizje të konvojeve nga vendbazimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, saktësisht Aeroportit të Gjakovës dhe poligonit ushtarak në Babaj të Bokës”.

    “Kjo lëvizje do të realizohet me qëllim të ekzekutimit të ushtrimit ndërkombëtar “Defender Europe 25”, prandaj kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve gjatë periudhës së zhvillimit të ushtrimit”.

    “Forca e Sigurisë së Kosovës përmes ekzekutimit të këtij ushtrimi do të tregojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë luftarake me vendet partnere dhe të rajonit, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë”, u tha në njoftim.

    Kosova në vitin 2023 ishte përjashtuar nga “Defender Europe 2023” si masë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas tensioneve në veri të vendit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!