Ndonëse me ndërtimin e tyre u krenuan në fushatë, disa nënstacione të Policisë së Kosovës në veri të vendit nuk janë funksionalizuar plotësisht sepse nuk janë pajisur me disa elemente.
Nënstacioni policor që po ndërtohet në afërsi të kufirit me Serbinë, në fshatin Izvor të Zveçanit, është afër përfundimit të punimeve.
Objekti është planifikuar të shërbejë si nënstacion i Policisë së Kosovës dhe ndërtimi i tij ka nisur më 25 nëntor 2024.
Në nëntor të vitit të kaluar, nënstacioni ishte vizituar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, një tjetër nënstacion policor në veri të vendit ishte vizituar nga të njëjtët zyrtarë.
Në pikën policore në fshatin Leshak të komunës së Leposaviqit, po vazhdojnë punimet, megjithëse kjo pikë është më afër përfundimit.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka deklaruar se këto nënstacione kanë mangësi vetëm në aspektin logjistik.
“Në ato stacione është duke u punuar ende, mirëpo policët janë aty dhe për neve janë pika funksionale. Me teknikë, teknologji e logjistikë është duke u punuar ende. Leshaku është funksional, kemi dërguar policë aty, ndonëse ende vazhdojnë punimet. Në Izvor po punohet, dhe policët janë aty. Me logjistikë, nuk janë ende funksionale – puna po vazhdon”, ka deklaruar Elshani.
Përveç këtyre dy lokacioneve, në pjesën veriore të Kosovës janë ndërtuar edhe stacione dhe nënstacione të tjera policore, përfshirë një pikë në Bistricë dhe një tjetër në Jasinovik./TVDukagjini