×
  • Lajme
  • Lajme / Gazeta britanike

    “The Times”: Britania do t’i kërkojë Kosovës të pranojë emigrantë

    Reporteri
    26 Maj 2025 | 8:59

    Britania do të kërkojë nga Kosova që të pranojë emigrant të cilët mundohen në arrijnë me barka në Mbretërinë e Bashkuar si pjesë e planeve për të hapur një varg “qendrash të kthimit” jashtë vendit, raporton gazeta britanike “The Times”.

    Kjo gazetë thotë se Kosova është në një listë të ngushtë të nëntë vendeve, e cila është hartuar nga ministra e zyrtarë të tjerë britanikë për të shërbyer si destinacione të mundshme për qendrat e emigrantëve jashtë vendit, ku do të dërgoheshin personat që u është refuzuar azili, pasi t’i kenë shfrytëzuar të gjitha mundësitë për apelimin e vendimit në Britani.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjithashtu ka thënë se vendi i saj do të ishte “i hapur” për bisedime për një marrëveshje të mundshme për pranimin e personave që u është refuzuar azili nga Britania, shkruan gazeta.

    Kosova u bashkohet Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Bosnjës e Hercegovinës dhe disa shteteve të tjera jashtë Evropës që janë futur në listën e ngushtë si vende të cilat ministrat britanikë duan t’i kontaktojnë.

    Ende nuk kanë filluar bisedime formale me ndonjë shtet, por merret vesh se ministrat britanikë duan që të kenë bërë progres deri në kohën kur Britania të mbajë një takim me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Londër në vjeshtën e këtij viti, ku emigrantët do të jenë në krye të agjendës.

    Ministrat britanikë kishin shpresuar se Shqipëria do të ishte e hapur për ta pranuar hapjen e një qendre të emigrantëve, por kryeministri Edi Rama përjashtoi një gjë të tillë javën e kaluar, thekson gazeta britanike.

    Burime të larta qeveritare britanike thanë se Kosova është vend “i besueshëm” për ndërtimin e një qendre të kthimit, sepse është njëra nga rrugët kryesore që shfrytëzohet nga emigrantët e paligjshëm gjatë rrugës së tyre drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

    Gati 22 mijë emigrantë të paligjshëm e shfrytëzuan rrugën e Ballkanit Perëndimor për të hyrë në Bashkimin Evropian vitin e kaluar, sipas Zyrës së Jashtme të Britanisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!