×
  • Lajme
  • Lajme / E FUNDIT

    Ish-deputeti i VV-së, Gramos Agusholli ndalohet nga autoritetet serbe në Merdare

    Reporteri
    26 Maj 2025 | 15:25

    Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gramos Agusholli është ndaluar nga autoritetet e Serbisë në pikën kufitare në Merdarë paraditen e 26 majit, derisa ishte tranzit drejt Sllovenisë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës në një njoftim tha se për rastin janë njoftuar edhe misionet diplomatike të shteteve të QUINT-it dhe zyra e BE-së në Beograd.

    “Sot paradite, më 26 maj 2025, jemi njoftuar për ndalimin e ish-deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Gramos Agusholli, nga autoritetet e Serbisë në pikën kufitare në Merdarë, ndërsa ishte në tranzit drejt Sllovenisë.

    Lidhur me këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovë në Serbi ka njoftuar misionet diplomatike të shteteve të QUINT-it dhe Zyrën e BE-së në Beograd.
    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar menjëherë misionet diplomatike të shteteve të KUINT-it dhe Zyrën e BE-së në Kosovë, si dhe ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar informacione të plota dhe zyrtare në lidhje me rastin”, thuhet në njoftim.

    MPJD ka dënuar këtë veprim arbitrar të Serbisë dhe i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtarë për reagim të menjëhershëm, në lirimin e Agushollit.

    “MPJD dënon fuqishëm këtë veprim arbitrar të autoriteteve serbe dhe i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të reagojë menjëherë, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të z. Gramos Agusholli dhe ndalimin e praktikave të tilla represive, të cilat bien ndesh me parimet themelore të të drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të mbajë të informuar të gjithë partnerët ndërkombëtarë për çdo zhvillim të mëtejshëm në lidhje me këtë rast. Çdo informacion i ri do të shpërndahet menjëherë pas konfirmimit zyrtar”, thuhet në reagimin e MPJD-së.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!