×
  • Lajme
  • Lajme / Reagim

    Ndalimi i Agushollit nga autoritetet serbe, Kurti: Serbia s’lëshon rast pa treguar se s’do marrëdhënie fqinjësore

    Reporteri
    26 Maj 2025 | 21:58

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me ndalimin e ish-deputetit të Vetëvendosjes, Gramos Agushollit, nga autoritetet serbe sot në Merdare.

    Kurti ka thënë se praktika të tilla që përdoren në vazhdimësi me qëllim keqtrajtimin dhe frikësimin e qytetarëve tanë duhet të dënohen zëshëm dhe njëzëri edhe nga komuniteti ndërkombëtar, shkruan Reporteri.net.

    “Serbia nuk lëshon rast për ta dëshmuar se nuk do e as synon marrëdhënie normale e fqinjësore. Ndalimi i ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Gramos Agushollit nga autoritetet e shtetit serb në pikën kufitare në Merdarë për orë të tëra është prova e radhës. Praktika të tilla që përdoren në vazhdimësi me qëllim keqtrajtimin dhe frikësimin e qytetarëve tanë duhet të dënohen zëshëm dhe njëzëri edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Përgëzoj institucionet tona dhe shtetet partnere për reagimin e shpejtë dhe të suksesshëm. Gramosit i dëshiroj qëndrim të mbarë në Lubjanë”, ka deklaruar Kurti.

    Për rreth 7 orë, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gramos Agusholli, ka qenë në ndalim nga autoritetet serbe. Ai është ndaluar mëngjesin e sotëm në Merdare, derisa po udhëtonte trazit drejt Sllovenisë.

    Në një deklaratë për Reporteri.net, Agusholli ka thënë se nuk i është dhënë asnjë arsye për ndalimin e tij, por beson se ndalimi ishte i motivuar politikisht.

    “Nuk më është dhënë ndonjë arsye konkrete dhe zyrtare për ndalimin. Gjithçka ka ndodhur në mënyrë të papritur dhe pa ndonjë shpjegim të qartë. U kuptua që bëhej fjalë për një ndalim të motivuar politikisht, siç fatkeqësisht ndodh shpesh me përfaqësues institucionalë nga Kosova”, ka rrëfyer Agusholli.

    Ai ka thënë se ka qëndruar për rreth 3 orë në veturë bashkë me familjen dhe se s’ka pasur të drejtë për të lëvizur. Më pas thotë se është marrë në pyetje për afro katër orë nga zyrtarët serb, në një ambient të veçuar.

    Trajtimi i tyre thotë se nuk ka qenë aspak korrekt.

    “Nuk ka pasur dhunë fizike, por trajtimi ka qenë aspak korrekt. Qasja e tyre ka qenë nënçmuese, me tension të panevojshëm dhe pyetje të motivuara politikisht. Në asnjë moment nuk jam ndjerë i trajtuar si qytetar që po kalon një kufi për arsye familjare – më shumë ngjante me një tentim për frikësim apo provokim të qëllimshëm”, ka deklaruar Agusholli për Reporteri.net.

    Për ndalimin e Agushollit njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. MPJD tha se për rastin janë njoftuar edhe misionet diplomatike të shteteve të QUINT-it dhe zyra e BE-së në Beograd.

    Ministria i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të reagojë ndaj Serbisë për ndalimin e praktikave të tilla.

    “MPJD do të vazhdojë të përcjellë me vëmendje çdo situatë që cenon të drejtat e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të reagojë ndaj Serbisë për ndalimin e praktikave të tilla represive, të cilat bien ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në njoftim.

    Pas lirimit, Agusholli ka vazhduar rrugën drejt Sllovenisë./Reporteri.net

    U mor në pyetje nga autoritetet serbe për rreth 4 orë, Gramos Agusholli flet për ndalimin në kufi

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!