Të martën Prokuroria Speciale ka kryer bastisje në katër lokacione, Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë për Zhvillim Bujqësor, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, dhe në lokacionin e kompanisë përfituese të kontratës lidhur me dyshimet me fabrikën për përpunimin e mbetjeve shtazore.
Ndërkohë që basitsjet po vazhdonin në këto lokacione, Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci është ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale.
Kjo u konfirmua për Gazetën Online Reporteri.net nga vetë ky institucion, por duke qenë se intervistimi ndaj Pecit po ndodhte aktualisht, nuk dhanë detaje më shumë.
E, edhe pas më shumë se dy orësh, Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se intervistimi i tij po vazhdon.
Prokurori i rastit, Admir Shala sot gjatë ditës, në një deklaratë për mediat ka thënë shkurt se Prokuroria Speciale ka nisur hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.
Në anën tjetër, nga Ministria e Bujqësisë kanë thënë se janë të gatshëm të ofrojnë çdo informatë për çdo interesim që mund të ketë.
“Që nga dita e parë, jemi në dispozicion të organeve të rendit dhe drejtësisë, duke ofruar çdo informatë për secilin interesim të tyrin, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit. Kemi bashkëpunuar ngushtë me këto institucione dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, të udhëhequr nga parimet e transparencës dhe llogaridhënies”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Bujqësisë.
/Reporteri.net/