×
  • Lajme
  • Lajme / Tenderi i dyshimtë

    Prokuroria Speciale e konfirmon se Faton Peci po intervistohet si i dyshuar

    Reporteri
    27 Maj 2025 | 18:30
    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci

    Prokuroria Speciale ka konfirmuar raportimin e Gazetës Online Reporteri.net se Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, po intervistohet në cilësinë e të dyshuarit. 

    Se Peci po intervistohet si i pandehur, për Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Nora Luta.

    Peci ende ndodhet në objektin e Prokurorisë Speciale.

    Intervistimi i tij vjen pas bastisjeve që janë kryer me urdhër të Prokurorisë Speciale në katër lokacione, Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë për Zhvillim Bujqësor, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, dhe në lokacionin e kompanisë përfituese të kontratës lidhur me dyshimet me fabrikën për përpunimin e mbetjeve shtazore.

    Prokurori i rastit, Admir Shala sot gjatë ditës, në një deklaratë për mediat ka thënë shkurt se Prokuroria Speciale ka nisur hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

    Në anën tjetër, nga Ministria e Bujqësisë kanë thënë se janë të gatshëm të ofrojnë çdo informatë për çdo interesim që mund të ketë.

    “Që nga dita e parë, jemi në dispozicion të organeve të rendit dhe drejtësisë, duke ofruar çdo informatë për secilin interesim të tyrin, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit. Kemi bashkëpunuar ngushtë me këto institucione dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, të udhëhequr nga parimet e transparencës dhe llogaridhënies”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Bujqësisë./Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!