Presidenti Donald Trump vijon të mbetet në qendër të akuzave për ushtrim presioni ndaj shteteve të huaja dhe për abuzim me pushtetin.
Mësohet se përveç rastit të Ukrainës, Trump u ka kërkuar tri shteteve të ndryshme që të ofrojnë prova për të diskredituar aludimet se bashkëpunoi me Rusinë në zgjedhjet e fundit.
Beteja politike për inkriminimin e presidentit amerikan, Donald Trump, ka hyrë në javën e dytë, duke rënduar më tej pozitat e kreut të Shtëpisë së Bardhë.
Gazeta amerikane, Uoll-Strit-Xhornëll, zbuloi të hënën se ministri i Jashtëm i vendit, Majk Pompeo, ishte i pranishëm në kohën kur u mbajt biseda e 25-korrikut mes presidentit Trump dhe homologut ukrainas.
Në atë bisedë Ukrainës iu kërkua hetimi i rivalit demokrat, Xho Bajdën, proces që Trump do ta përdorte politikisht në fushatën presidenciale të 2020-ës.
Kryediplomati Pompeo më herët ishte deklaruar se nuk kishte dijeni për telefonatën.
Për pasojë, komisionerët demokratë kanë lëshuar ndaj tij, por edhe avokatit personal të presidentit Trump, Rudi Xhulianit, urdhra për detyrim paraqitje dhe për dorëzimin e dokumenteve rreth temave të diskutuara.
Ndërkohë një tjetër zhvillim i orëve të fundit ka vënë sërish në qendër të polemikave presidentin Trump.
Bëhet fjalë për hetimet rreth zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, të cilat pretendohet se u fituan me ndihmën e ndërhyrjeve nga Rusia.
Mediet amerikane raportojnë se Shtëpia e Bardhë ka kërkuar gjetjen e provave për të diskredituar konkluzionet e prokurorit që hetoi çështjen, Robert Mëlër.
Mësohet se të tilla kërkesa i janë drejtuar Australisë, Britanisë së Madhe dhe Italisë.
Trump këmbëngul se sulmet e ditëve të fundit ndaj tij janë gjueti shtrigash, ndërsa ai vetë po bie viktimë e makinacioneve politike.