Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, është deklaruar pas takimit bilateral që zhvilloi sot me Kryenegociatorin e Kosovës, Bekim Bislimi.
Sorensen paralajmëroi se do të ketë takim tre palësh së shpejti, teksa tha se takimi i sotëm ka qenë përgatitor, shkruan Reporteri.net.
“Prita sot Kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, në kuadër të përgatitjeve për takimin trepalësh të dialogut, sot në Bruksel. Diskutuam për një sërë çështjes të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Planifikoj të organizoj një takim trepalësh së shpejti”, ka shkruar Sorensen.
Edhe Bislimi ka dhënë detaje rreth këtij takimi. Ai tha se nga Sorensen janë njoftuar lidhur me qasjen që ai mendon ta ketë në fazat e ardhshme të bisedimeve, qoftë në nivel të Kryenegociatorëve apo takimet e larta që udhëhiqen nga Kryediplomatja Kaja Kallas.
Në këtë takim, Bislimi tha se kanë ngritur një sërë temash, të cilat janë me shumë rëndësi që sa më shpejt të ketë përgjigje nga Brukseli apo zgjidhje.
“Përshembull kemi rastin e menagjimit të integruar të kufirit ku ka mungesa të mëdha nga ana e Serbisë si në përmbushjen e obligimeve të tyre përshembull në tri pika kufitare që ata është dashur të ndërtojnë, ose në përgjigje ndaj propozimeve tona që në Bujanoc, përshembull në Dobrosin, Muhovc dhe Breznicë të hapen pika sezonale gjatë kohës kur ka më shumë udhëtarë që kthehen edhe nga diaspora, por edhe për problemet që kemi në këtë fushë me njohjen e certifikatave fitosanitare edhe atyre veterinare dhe pengesave që iu bën Serbia. Pastaj ngritëm temën e kostove shumë të mëdha që po lindin nga mosfunksionalizimi i linjave të interkoneksionit mes Kosovës dhe Serbisë, që janë obligime të papërmbushura të Serbisë në kuadër të implementimit të marrëveshjes së energjisë. Treguam se deri në ç’masë janë humbjet që ka Kosova në baza vjetore nga kjo dhe barrierat që në vazhdimësi Serbia në mënyrë artificiale po i vendos”, ka deklaruar Bislimi, sipas njoftimit të ZKM’së.
Ai është pyetur edhe për ndikimin që mund ta ketë ngërçi i krijuar në procesin e dialogut.
“Natyrisht se ka vështirësi për arsye se nuk mund të mbahen takime të nivelit të lartë, por megjithatë janë disa tema ku Kosova mund të përfitojë nëse ka konstruktivitet apo qasje konstruktive nga ana e Serbisë edhe mendoj që nuk do të ishte në rregull nëse ne i humbim këto shanse për shkak se në Prishtinë ka pengesa në konstituimin e Kuvendit”, ka thënë Bislimi.
Ai tha takimi i sotëm ishte planifikuar të ishte trepalësh, por ekipi i Serbisë është përballur me vonesa gjatë shkuarjes në Bruksel.
“Diskutuam edhe për një proces shumë të rëndësishëm që e kemi për mbështetjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përmes ndihmave për fermerët e vegjël, të cilat i ka blloku Serbia në llogaritë bankare të Këshillit Kombëtar Shqiptar, ku kërkuam një përgjigje sa më të shpejtë për zhbllokimin e këtyre mjeteve. Folëm edhe për fushatën dezinformuese që Serbia e ka nisur në shumë fronte me qëllim të dezinformimit të partnerëve ndërkombëtarë por edhe mbajtjes së lartë të presionit tek qytetarët serb në Kosovë dhe tema të tjera të ngjashme. Ka qenë i paraparë edhe një trilateral, por ky nuk ka mundur të ndodhë për shkak se kanë ndodh komplikime me ekipin e Serbisë, i cili nuk ka arrit në Bruksel për shkak të vonesave në Vjenë apo diçka të ngjashme”, shtoi ai./Reporteri.net