Avokatja e Murselit, Teuta Zhinipotoku, ka kërkuar që të bëhet ekzaminimi i statusit mendor të klientit të saj, Naim Murselit, shkruan Reporteri.net.
Ajo tha se ka bërë kërkesë për këtë në Prokurori dhe Gjykatë, por se ende s’ka marrë përgjigje, teksa insistoi që shqyrtimi gjyqësor të vazhdojë pas ekzaminimit. Ajo tha se ky ekzaminim është kërkuar për të parë nëse Murseli është në gjendje ta kuptojë procedurën gjyqësore dhe të konsultohet me mbrojtësit për çështjen gjyqësore.
Sipas saj, nuk ka prova të drejtpërdrejta që vërtetojnë se klienti i saj ka kryer apo urdhëruar vrasjen e Liridona Ademajt.
Ndryshe, Murseli është deklaruar i pafajshëm para Gjykatës.
“Unë deklarohem i pafajshëm dhe sa i përket akuzës, vetëm dua të shtoj se po të vërtetohen pretendimet e prokurores, unë vet për veten time do të kërkoj dënim me burgim të përjetshëm”, tha Murseli.
Të akuzuarit tjerë, Granit Plava u mbrojt në heshtje, ndërsa Kushtrim Kokalla u deklarua i pafajshëm.
Prokuroria në fjalën hyrëse tha se ekziston dyshimi i bazuar, i mbështetur në numër të madh të provave materiale që të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.
“Pas provave te mbledhura dhe gjatë krahasimit të të njëjtave, Prokuroria konsideron që ekziston dyshimi i bazuar që të akuzuarit e cekur kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen. Dyshimi i bazuar i që është mbështetur në numër të madh të provave materiale…”
“Gjatë krahasimit të deklaratave dhe provave të mbledhura material, Prokuroria është bindur dhe do të tentojmë ta bindim edhe trupin gjykues e publikun që të akuzuarit e cekur kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen”, tha prokurorja e rastit. /Reporteri.net/.