×
  • Lajme
  • Lajme / Rregullorja

    Vendimi i Supremes që faturat të paguhen te “Pastrimi”, reagon kryeshefi Reçica: Fitore e ligjit dhe punëtorëve

    Reporteri
    04 Qershor 2025 | 20:00

    Kryeshefi ekzekutiv i KRU “Pastrimi”, Petrit Reçica ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës e cila ka hedhur kërkesëpadinë e Komunës së Prishtinës për pezullimin e përkohshëm të rregullores që përcakton mënyrën e re të pagesës për shërbimet e mbeturinave në kryeqytet.

    Ai tha se e drejta vonon, por nuk harron, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Sot, Gjykata Supreme i dha të drejtë KRM “Pastrimi” dhe mbi të gjitha, punëtorëve tanë që me ndershmëri e përkushtim kujdesen çdo ditë për pastërtinë e qytetit tonë. Rregullorja për Menaxhimin e Mbeturinave, e miratuar në Kuvendin Komunal, është shpallur e ligjshme dhe duhet të zbatohet! Vendimi i Gjykatës thekson se ndalimi i prodhimit të pasojave juridike nga kjo rregullore do të ishte shkelje e të drejtave themelore dhe e interesit publik.”, ka shkruar ai.

    Reçica tha se kjo “është fitore për ligjin, për drejtësinë, për qytetarët dhe për çdo punëtor të ndershëm të Pastrimit që nuk ndalet për asnjë ditë”.

    Ndryshe, Gjykata Supreme e Kosovës ka hedhur kërkesëpadinë e Komunës së Prishtinës për pezullimin e përkohshëm të rregullores që përcakton mënyrën e re të pagesës për shërbimet e mbeturinave në kryeqytet.

    Bëhet fjalë për “Rregulloren për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Menaxhimin e Mbeturinave”, e miratuar nga Kuvendi Komunal më 1 dhjetor 2023. Sipas saj, qytetarët duhet të bëjnë pagesat për mbeturina direkt tek kompania KRM “Pastrimi” Sh.A.

    Supremja ka konstatuar se nuk ekzistojnë kushte ligjore për pezullimin e kësaj rregulloreje dhe se ajo duhet të mbetet në fuqi deri në një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e saj.

    Në arsyetimin e saj, Gjykata ka theksuar se ndalimi i efekteve juridike të një akti nënligjor nuk mund të ndodhë pa një vlerësim të plotë gjyqësor.

    Supremja rrëzon kërkesën e Përparim Ramës, vendosë: Faturat duhet të paguhen në “Pastrimi”

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!