Më 13 qershor do të nënshkruhet një marrëveshje historike mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes, ka bërë të ditur Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Ai ka theksuar kjo është marrëveshja e parë kornizë e mbrojtjes që nënshkruhet nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës dhe Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-së.
“Marrëveshja adreson shumë fusha të bashkëpunimit për një periudhë 5-vjeçare dhe përmban elemente shumë të rëndësishme”, ka thënë Maqedonci.
Ministri ka shtuar se kjo marrëveshje përfshin bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes, duke përfshirë prodhimin e sistemeve të armatimit dhe municioneve së bashku me SHBA-në.
Po ashtu, marrëveshja përfshin edhe mbrojtjen ajrore, që sipas tij, do të sigurojë sisteme për mbrojtjen e Kosovës nga sulmet e mundshme ajrore.
“Mbështetjen dhe bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes, pra do të prodhojmë bashkë me SHBA-të sisteme të armatimit, municione për ato normal që do të dakordohemi, pro edhe mbrojtjen ajrore e adreson kjo marrëveshje. Nënkupton sistemet që mbrojnë Kosovën nga sulmet e mundshme ajrore, dhe në këtë nivel marrëveshje e kemi bërë për herë te parë me Turqinë dhe kjo është marrëveshja e dytë e këtij niveli”, ka deklaruar Maqedonci në Debat Plus.
Çfarë ndodhi me “Defender Europe 2023”?
Ai ka folur fillimisht për zhvillimet rreth ushtrimit ndërkombëtar Defender Europe, duke e quajtur vendimin për anulimin e Ditës së Vizitorëve të Shquar në vitin 2023 një vendim të nxituar – por që ishte jashtë kontrollit të institucioneve të Kosovës.
“Vendimi mendoj se ka qenë i nxituar, për anulimin e Ditës së Vizitorëve të Shquar. Megjithatë, jam empatik në raport me vendimmarrjen që e bën një institucion që nuk është i Kosovës”, ka deklaruar Maqedonci.
Ai ka theksuar se përkundër sfidave të kaluara, ushtrimi Defender Europe 2025 është një nga arritjet më të mëdha të Kosovës në bashkëpunimin me SHBA-në dhe partnerët e NATO-s.
“Këtë herë kemi marrë pjesë me gati 1 mijë trupa në terren, në Babaj të Bokës, por edhe në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Kroaci. Kosova ishte një nga 18 vendet nikoqire, me afërsisht 1 mijë trupa pjesëmarrës”, ka deklaruar ai.
Maqedonci ka thënë se besimi i SHBA-së ndaj institucioneve të Kosovës ka qenë i lartë, sidomos ndaj profesionalizmit të ushtrisë së Kosovës, e cila për herë të parë ka udhëhequr komandën taktike të divizionit që ka drejtuar aktivitetet në gjithë Evropën Juglindore.
“Këtë radhë ka qenë në veçanti besimi që SHBA-ja ka pasur në institucionet tona, duke përfshirë Qeverinë dhe në veçanti në profesionalizmin e ushtrisë së Kosovës për të vendosur komandën taktike të divizionit që ka drejtuar gjitha brigadat në Evropën Juglindore, pra nga Kosova janë drejtuar të gjitha aktivitetet në Evropën Juglindore. Kjo nuk është bërë duke u mbështetur në misionin aktual të NATO-s, por përmes bashkëpunimit direkt me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në”, ka shtuar Maqedonci.