×
  • Lajme
  • Lajme / Defender Europe 25

    Pjesëtarët e FSK’së demonstrojnë kapacitetet ushtarake në Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni të Veriut

    Reporteri
    05 Qershor 2025 | 15:10

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se kontigjente të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë duke operuar në ushtrimin shumëkombësh “Defender Europe 25” krahas shteteve partnere në Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni të Veriut, demonstrojnë kapacitetet ushtarake, shkruan Reporteri.net.

    Nikoqire e këtij ushtrimi është edhe Kosova sivjet. Maqedonci ka thënë se pjesëmarrja e FSK-së në këtë ushtrim mundëson testimin e kapaciteteve dhe ndërveprueshmerinë me partnerët ndërkombëtarë, si dhe tregon përkushtimin ndaj standardeve të NATO-s dhe angazhimin e saj në ruajtjen e paqes dhe sigurisë.

    Në Kroaci pjesë e ushtrimit është Togu Xhenier Luftarak i cili i është bashkuar Brigadës së Mekanizuar të Forcave të Armatosura Kroate dhe elemente të Inteligjencës, në Shqipëri FSK operon me kapacitete luftarake të këmbësorisë krahas vendeve partnere ndërsa në Maqedoni të Veriut është i angazhuar Togu i Mortajave si dhe Policia Ushtarake.

    “Kontingjentet e FSK-së janë duke zhvilluar operacione të mobilitetit të cilat dëshmojnë nivel të lartë profesionalizmi dhe përkushtimi në përmbushjen e detyrave dhe misionit të Forcës së Sigurisë së Kosovë”, ka shkruar Maqedonci.


    Kosova ishte paraparë të ishte nikoqire e këtij ushtrimi edhe në vitin 2023, por që ishte pezulluar pastaj.

    Ky ishte ndëshkimi i parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin ndërmarrë kundër Kosovës për, siç ishte thënë, injorimin e këshillave të tyre për të shmangur rritjen e tensioneve në zonën veriore me shumicë serbe.

    Tensionet patën kulmuar më 29 maj, kur protestuesit ishin përleshur me pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, në Zveçan.

    Një ditë pas përjashtimit të Kosovës nga “Defender Europe ‘23”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte cilësuar këtë si një “fatkeqësi”.

    “Nuk mendoj se [përjashtimi] është i drejtë, por kush jam unë të vendos”, kishte deklaruar Kurti, duke mbrojtur veprimet e Qeverisë së tij në veri./Repoteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!