Disa familje në fshatin Petrovë të Prizrenit po përballen me një problem të madh pronësor .
Ekipi i gazetës online Reporteri.net vizitoi sot këtë fshat, ku banorët pretendojnë se Komuna e Prizrenit u ka ndryshuar vendndodhjen e parcelave të tyre pa njoftim paraprak dhe pa konsultim.
Sipas tyre, problemi ka lindur rreth vitit 2013, kur është miratuar një plan i ri urbanistik që, sipas pretendimeve të banorëve, ka bërë ndarjen e re të tokave në mënyrë të padrejtë.
“Telashet që i kemi ne janë shumë serioze, sepse nuk jemi kanë të informum me këto që kanë ndodhë as prej komunës, as pre ministrisë. Është bërë një coptim i parcelave. Na i kemi pas me të vjetra të ndame krejt, sepse jemi rreth 15 familje. Tash me sistem të ri duhet secili mi shku dy metër teposhtë tjetrit. Diçka që është e papranueshme për neve. S’jemi kanë të informum për këtë punë. Komuna kinse ka bërë dëgjim publik me qytetarët. Po kush janë ata qytetarë? Na jemi pronarë të tokave. Ata duhet me i informu pronarët e tokave, jo qytetarët që nuk kanë ide çka ndodhë këtu. Është pasuri që e kemi bërë me mund e me djersë.”, thotë njëri prej banorëve, Brahim Koqinaj.
Ai thotë se kjo ka ndodhur diku në vitin 2013.
“Na e kemi marrë vesh nëpërmjet njerëzve, lajmeve që është bërë plani i ri urbanistik. Disa toka tona i kanë bartë i kanë cu më poshtë, tjetrën e kanë qut në krye të rugës. Na kurrëfar dokumenti nuk kemi nënshkru për këtë punë.”, thotë ai.
Banorët paralajmërojnë se nëse problemi nuk adresohet me seriozitet, mund të ketë përplasje më të mëdha mes palëve të interesuara.
Komuna nuk ka dhënë përgjigje në interesimin e gazetës online Reporteri.net lidhur me këtë problematikë.