×
  • Lajme
  • Lajme / Kritika

    “Lluksi i Qeverisë po ec mirë”, “Qytetarët t’ia përmendin aferat korruptive Kurtit”, kritikat që bën sot PDK e LDK

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 15:55

    As në përpjekjen e 28-të nuk u arrit që të konstituohet Kuvendi i Kosovës, pasi as sot nuk mori votat e mjaftueshme komisioni për të organizuar votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, shkruan Reporteri.net.

    Si edhe herave të kaluara deputetët u vonuan dhe seanca nisi me vonesë, por kur ajo filloi nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari”, nuk zgjati as tre minuta. U ndërpre, për të vazhduar pas 48 orëve, por pa marrëveshje mes partive që mund t’i jepte fund ngërçit politik të krijuar në vend.

    Edhe sot deputetët e partisë së dytë në vend, PDK-së, dhe asaj të tretë, LDK-së, adresuan kritika në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit për krizën e shkaktuar, si dhe për deklaratën që bëri dje se deputetëve ” rrogat po ju ecin”, shkruan Reporteri.net.

    Për këtë deklaratë që dha dje Kurti, sot atij i reaguan deputetët Mërgim Lushtaku nga PDK dhe Armend Zemaj nga LDK.

    Lushtaku i PDK-së tha se rrogat iu ecin edhe qeveritarëve.

    “Rroga i ec edhe deputetëve edhe qeverisë, lluksi i qeverisë po ec me shumë se çdo send”.

    “Neve na kanë votuar qytetarët për me i marrë qëndrimet tona, i kemi përgjegjësitë tona edhe partiake, por kemi obligime edhe ndaj Kosovës”, tha Lushtaku.

    Edhe Armend Zemaj komentoi deklaratën e djeshme të Kurtit, i cili ka thënë se deputetëve po iu ecë rroga, ku akuzoi qeverinë Kurti për afera korruptive.

    “Qytetarët e Kosovës e kanë obligim me ia përmend Kurtit varfërinë e shtuar, korrupsionin, aferat e mëdha korruptive, besa edhe këto elementet shtesë të bashkëpunimit me krimin e organizuar, trafikantë të drogës etj”, tha ai.

    Kujtojmë se të hënën nga ora 11:00 do të jetë përpjekja e 29-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. /Reporteri.net/.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!