×
  • Lajme
  • Lajme / Hagë

    Specialja vendos afat të ri për përgjigjen e Prokurorisë ndaj mocionit të mbrojtjes

    Reporteri
    07 Qershor 2025 | 22:30

    Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, trupi gjykues ka marrë vendim të ri për afatin kohor për përgjigjen e Prokurorisë në mocionin e mbrojtjes.

    Trupi gjykues më 5 qershor 2025 ka lëshuar një urdhër lidhur me caktimin e hapave të ardhshëm në këtë proces gjyqësor.

    Dhomat e Specializuara kanë vendosur që lidhur me pranimin e provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, data 12 qershor të jetë dita kur ekipet e mbrojtjes mund të dorëzojnë mocionin e përbashkët në përputhje me Rregullën 130.

    Në anën tjetër, ZPS-ja fillimisht urdhërohej të dorëzojë përgjigjen në mocionin e mbrojtjes deri më 14 korrik. Por, që me vendimin e fundit ky afat shkurtohet në 7 korrik.

    Sipas DhSK-së, trupi gjykues synon të nxjerrë vendimin lidhur me mocionin e mbrojtjes sipas Rregullës 130, në javën e dytë të korrikut (nga e hëna e 14 korrikut).

    Në rast se refuzohet mocioni i mbrojtjes tërësisht ose pjesërisht, mbrojtësi i viktimave urdhërohet të përgatitet për të thirrur dëshmitarët e tyre më 16 korrik, ndërsa ekipet e mbrojtjes duhet të njoftojnë nëse synojnë të dorëzojnë provat e tyre deri më 16 korrik, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Konferenca përgatitore pritet të mbahet më 21 korrik.

    Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!