×
  • Lajme
  • Lajme / Dëgjimi i dëshmitarëve

    Gjykimi për Banjskën, polici Kryeziu thotë se nga breshëria e plumbave s’mund t’i ofronte ndihmë rreshterit Afrim Bunjaku

    Reporteri
    11 Qershor 2025 | 14:41

    Në gjykimin ndaj Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq- të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023, zyrtari policor Mirsad Kryeziu tha se nga gjuajtet me armë në natën kritike, nuk kishte mundësi t’i ofronte ndihmë tani të ndjerit- rreshterit policor Afrim Bunjaku.

    “Jam kthyer te Afrimi ku veçse ishte duke luftuar me jetë, e kam larguar edhe pak dhe në ato momente për shkak të gjuajtjes me armë fillova t’i jap një lloj ndihme, por sa herë që afrohesha afër tij, breshëritë e armës nuk ndaleshin nga armët”, deklaroi Kryeziu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Fillimisht, Kryeziu tha se në natën kritike gjatë patrullimit të zakonshëm, kishin parë në urën e fshatit Banjska dy kamionë të vendosur në mënyrë diagonale.

    Ai tha se kishte dalë nga vetura e Policisë së tipit “Toyota” dhe kishte shikuar situatën dhe se me t’u futur në njërin kamion për ta larguar nga ura, kishte ndodhur shpërthimi.

    Polici tregoi se nga shpërthimi kishte mbetur i plagosur rëndë rreshteri Afrim Bunjaku në fyt, dhe zyrtari policor Alban Rashiti.

    Pas plagosjes së rreshterit, tha se e kishte futur në veturë dhe se gjatë largimit për ta dërguar në spital ishte sulmuar në rrotën e veturës dhe se në atë gjendje të veturës kishte arritur ta dërgonte në spital, ku edhe ishte njoftuar nga mjekët se Bunjaku ka vdekur.

    Gjithnjë sipas Kryeziut, sulmi ishte i mirë organizuar dhe se urdhrat kuptohej se sulmuesve u vinin nga njerëz që kanë njohur ushtarake.

    “Intensiteti i sulmit ka qenë i madh dhe mund ta quaj një strukturë taman ushtarake dhe e organizuar mirë për këtë sulm”, deklaroi Kyreziu.

    Po ashtu, polici u shpreh se armët e përdorura ishin të sofistikuara dhe se intervenimi i zyrtarëve policorë ishte i një standardi të lartë, pasi që kishte edhe civilë dhe se asnjëri nga ta nuk është lënduar.

    Ai tha se sulmi ka ndodhur në fshatin Banjskë për shkak të pozitës gjeografike për të ikur sulmuesit, prezencës së Manastirit, si dhe prezencës së vetë pelegrinëve.

    “Nuk është lënduar dhe plagosur asnjë qytetar, kjo tregon se puna e jonë është atje të punojnë me rend dhe qetësi e jo t’i dëmtojmë apo t’i malterojmë, si t’i quajmë qytetarët që jetojnë atje, për këtë janë falënderues banorët”, deklaroi Kryeziu.

    Në fund, zyrtari policor tha se banorët e fshatit Banjskë ndihen të sigurt me prezenën e Policisë së Kosovës, pasi që këtë vetë ua kanë thënë banorët.

    Dëshmon polici Mirsad Kryeziu: Mora dëmtime gjatë tërheqjes së rreshterit Afrim Bunjaku

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!