×
  • Lajme
  • Lajme / Deklarata

    Vendimi për të pranuar migrantë të deportuar nga SHBA, DASH: Jemi mirënjohës ndaj Kosovës në këtë prioritet kyç të Administratës Trump

    Reporteri
    12 Qershor 2025 | 8:52

    Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur që të ofrojë mbrojtje të përkohshme për 50 persona nga shtetet e treta, në kuadër të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara.

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se qëndrimi i deri në 50 personave në vend, të cilët më pas do të kthehen në vendet e tyre të origjinës  do të menaxhohet dhe koordinohet nga Ministra e Punëve të Brendshme.

    Vendimi është miratuar dje në Qeverinë e Kosovës. Lajmi është transmetuar edhe në mediat ndërkombëtare, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Rrjeti amerikan CBS News ka raportuar se si vendi i vogël evropian ka vendosur të pranojë migrantët e deportuar nga SHBA.

    Nuk është e qartë se kush saktësisht mund të dërgohet nga SHBA-të në Kosovë ose nga cilat vende do të jenë ata, thuhet në artikull.

    Në një deklaratë për CBS News, Departamenti Amerikan i Shtetit ka shprehur mirënjohje ndaj Kosovës pas vendimit për pranimin e shtetasve të huaj që janë dëbuar nga territori i SHBA-së, duke kujtuar se ky është një prioritet i lartë i administratës së presidentit amerikan, Donald Trump.

    “Jemi mirënjohës ndaj partneres sonë, Kosovës, për pranimin e shtetasve të vendeve të treta të larguar nga Shtetet e Bashkuara dhe për lehtësimin e kthimit të sigurt të këtyre të huajve në vendet e tyre të origjinës”, shtoi Departamenti i Shtetit.

    Që nga fillimi i mandatit të tij të dytë, presidenti Trump ka nisur një fushatë kundër emigracionit të paligjshëm, çka ka nxitur edhe protesta në SHBA. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!