×
  • Lajme
  • Lajme / Deklarata

    Qëndrimi i Trump për dialogun, Kurti: Serbia po shkel marrëveshjen bazike, hapi i parë dorëzimi i Radoiçiqit

    Reporteri
    16 Qershor 2025 | 10:22

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë nuk mund të ecë përpara pa përmbushjen e disa kushteve themelore nga ana e Beogradit.

    Ai u pyet lidhur me zotimin e presidentit amerikan Donald Trump për t’u riangazhuar në dialogun Kosovë–Serbi dhe për të shtyrë përpara procesin e normalizimit.

    Kurti theksoi se Serbia po shkel marrëveshjen bazike të arritur mes dy vendeve dhe kërkoi që autoritetet serbe të dorëzojnë Milan Radoiçiqin, të cilin e cilësoi si “kryekriminelin që vrau rreshterin e policisë, heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku”.

    Kurti kërkoi gjithashtu që Serbia të nënshkruajë marrëveshjen bazike me aneksin e zbatimit dhe të tërheqë deklaratën e dhjetorit 2023 të ish-kryeministres serbe Ana Brnabiq, ku u mohua integriteti territorial i Kosovës.

    “Unë besoj që normalizimi është i mundur, por trysnia duhet të ushtrohet mbi Beogradin,” tha Kurti, duke theksuar rolin e pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara në këtë proces. Ai i cilësoi SHBA-të si aleat kryesor dhe mik të veçantë në tri fusha kyçe: mbrojtje, diplomaci dhe zhvillim.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!