Liderët e 12 shteteve nga Evropa Juglindore u pritën të hënën në Tiranë nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në kuadër të Samitit përmbyllës të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).
Në cilësinë e kryetarit të SEECP-së për periudhën 2024-2025, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj vlerësoi arritjet e deritanishme të këtij procesi, në forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë, dhe ndërtimin e një tregu të përbashkët.
Në një deklaratë për shtyp me Presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, vend i cili ka kryesuar SEECP-në para Shqipërisë, dhe me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, i cili mori kryesinë e radhës, presidenti Begaj tha se diskutimet e Samitit të Tiranës u përqëndruan tek e ardhmja e përbashkët evropiane.
“Shqipëria mbetet e angazhuar ndaj parimeve të kësaj platforme dhe çështjeve të rëndësishme si stabiliteti rajonal, bashkëpunimi ekonomik, dhe reformat drejt integrimit europian” – u shpreh Begaj.
“Vendet e BE-së të ofrojnë mbështetje politike dhe konkrete për anëtarësimin tonë në Union, duke garantuar që perspektiva e integrimit të mbetet reale dhe e besueshme për gjithë rajonin” – u shpreh më tej presidenti i Shqipërisë.
Shqipëria kërkon të përshpejtojë negociatat me BE-në
Në përfundim të kryesimit të saj në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, Shqipëria ka theksuar nevojën për më shumë ritëm në integrimin evropian të rajonit.
“Për Shqipërinë, rruga drejt integrimit nëBE është e lidhur me integrimin më të gjerë të Ballkanit Perëndimor. Ne po ecim me ritëm të shpejtë drejt integrimit, teksa vijojmë t’i qëndrojmë besnikë vlerave demokratike të Aleancës Euroatlantike” – u shpreh Begaj.
Ministri i Jashtëm Igli Hasani u shpreh, se bashkëpunimi rajonal duhet parë si një mjet shtesë, por jo si alternativë ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian. “Është e qartë se bashkëpunimi rajonal nuk është zëvendësues për anëtarësimin në BE, por një hap i nevojshëm plotësues në drejtim të tij, ku krijojmë mundësi për tregtinë, thjeshtojmë lëvizshmërinë për qytetarët tanë, investojmë në energji, ndërlidhje dhe komunikim”- tha Hasani.
Ai shtoi se Shqipëria synon të hapë të gjithë grupkapitujt e negociatave me BE-në brenda këtij viti dhe të mbyllë negociatat deri në vitin 2027. “Synimi ynë është ambicioz, por edhe i arritshëm. Po punojmë me vendosshmëri për ta bërë Shqipërinë gati për anëtarësimin e plotë në BE përpara fundit të kësaj dekade. Ky është objektiv rajonal. Suksesi i fqinjëve tanë është suksesi ynë” – u shpreh më tej ministri Hasani.
Mospajtime për deklaratën përfundimtare të Samitit të Tiranës
Edhe pse ishte planifikuar të niste në kohë, konferenca për shtyp e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, së bashku me homologët e tij nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, u vonua me rreth 30 minuta. Shkak u bë deklarata përfundimtare e samitit, e cila, ndonëse pritej të përfaqësonte qëndrimin unanim të 13 vendeve pjesëmarrëse, u refuzua të nënshkruhej nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, konfirmoi se dy vendet nuk e mbështetën tekstin për shkak të qëndrimeve të ndryshme mbi çështjet e sigurisë. “Ne ramë dakord që çështja e vendosjes së sanksione ndaj Kosovës është e padrejtë dhe duhet që të ishte zgjidhur shumë më parë. Është një deklaratë shtesë për këtë që është e shënuar në protokoll” – u shpreh presidenti Begaj.
Ai shtoi se mungesa e unitetit për çështje të tilla nuk duhet parë si problem i brendshëm, por si pjesë e një realiteti më të gjerë gjeopolitik. “Siguria nuk është term vetëm brenda shtëpisë sonë. Ne e kemi kuptuar se çfarë ndodhi me agresionin rus ndaj Ukrainës, që solli probleme jo vetëm për vendet e përfshira në konflikt, por edhe për vende të tjera,” theksoi Begaj.
Shqipëria në mbështetje të Izraelit, kritika për Iranin
Përtej temave të rajonit, krizat në Lindjen e Mesme ishin gjithashtu pjesë e qëndrimit zyrtar të Shqipërisë në samitin e Tiranës. “Shqipëria riafirmon të drejtën e Izraelit për sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve të vet, e po ashtu i bëjmë thirrje Iranit të ndalojë programet bëthamore dhe balistike” – u shpreh Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp. “Kjo dëshmon brishtësinë e paqes dhe shpejtësinë me të cilën mund të hapet paqëndrueshmëria” – shtoi Begaj.
Më herët, edhe ministri i Jashtëm, Igli Hasani, kërkoi nga Irani që të respektojë traktatet ndërkombëtare për mospërhapjen e armëve bërthamore.
“Shqipëria iu bën thirrje palëve të ushtrojnë përmbajtjen maksimale dhe të angazhohen në përpjekje diplomatike në uljen e tensioneve dhe në një zgjidhje të qëndrueshme politike” – tha Hasani.
Platforma politike e bashkëpunimit në Ballkan
Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) është një platformë politike rajonale, e krijuar më 1996 me nismën e Bullgarisë, që synon forcimin e dialogut, mirëbesimit dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Evropës Juglindore. Në të marrin pjesë 13 shtete si: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia, Rumania, Bullgaria, Greqia, Kroacia, Turqia dhe Moldavia, si dhe partnerë të tjerë të përfshirë në zhvillimet politike dhe të sigurisë në rajon./DW